Lajme
Aktivisti i LVV-së në Shtime “guxon” të shprehet kundër partisë, i hakmerren duke e bllokuar  
Demokracia
20:44 | 04 Qershor 2022

Share:

Mehdi Salihu, aktivist që pesë vjet në Lëvizjen Vetëvendosje, ka thënë se së fundmi i është bllokuar qasja në faqen e këtij subjekti politik në Shtime. Krejt kjo, sipas tij, pasi që kritikoi procesin zgjedhor brenda degës së LVV-së në këtë komunë.

Salihu përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se qasja iu bllokua vetëm për shkak të komentit dhe qëndrimit kritik lidhur me zgjedhjet e reja të LVV-së në Shtime, përcjell Demokracia.com.

“Më kanë bllokuar qasjen në faqen e LVV-së në Shtime për një koment dhe qëndrim kritik, lidhur me zgjedhjet e reja që po mbahen brenda LVV-së në Shtime. Kujt ashtu? Një aktivisti dhe anëtari të LVV-së, rreth 5 vite, një aktivisti dhe anëtari që ishte me ngulm pjesë e ndryshimit politik, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qëndror. Flm qendra e LVV-së në Shtime që më larguar nga qasja në faqe, ku po mbetet toleranca, demokracia e brendshme, mendimi kritik, etj, etj? Vazhdojmë…M.S”, ka thënë ai.

Salihu ka treguar edhe cili ishte komenti i tij, që dërgoi deri në bllokimin e qasjes në faqen zyrtare të LVV-së në Shtime, përcjell Demokracia.com.

“Ky ishte komenti kritik: Struktura të reja, me njerëz të njëjtë! Zgjedhjet e LVV-së në Shtime janë mashtrim, farsë, nuk kanë lidhje me demokraci dhe transparencë, dhe asesi struktura të reja. Aty janë një grup shokësh dhe dy shoqe axhami në organizim (axhami me mendje e dije, sepse vite kogja kanë bërë), organizojnë, zgjedhin vetën, vetëzgjidhen, etj. Në secilën pikë as numri i nevojshëm në bazë të statutit për zgjedhje nuk është, pra veprohet në kundërshtim të plotë me Statutin. Prandaj, aktivista mos e lodhni vetën as kokën në këtë proces, sepse paraprakisht dihet cilët njerëz, organe, pa organe janë të zgjedhura”, ka qenë komenti i Salihut.

Ndryshe, më 14 maj, LVV në Shtime ka konfirmuar se ka filluar procesi i zgjedhjeve të brendshme.

I pranishëm në një takim lidhur me këtë çështje ka qenë edhe kryetari Qemajl Aliu, ku sipas kësaj dege është diskutuar për situatën politike në vend, hartimin e planit të punës dhe procedurat e hapat që duhet të ndërmerren për formimin e pikave dhe zgjedhjen e strukturave./Demokracia.com/

Të ngjashme