Lajme
Aktivistët e mjedisit sërish rrinë në rrugë në Berlin, incidente me qytetarët
Demokracia
12:51 | 18 Shtator 2023

Share:

Me postblloqe të shumta në Berlin, lëvizja ekologjike “Brezi i fundit” filloi “javën e aksionit” të paralajmëruar me sulme të shtuara ndaj trafikut në metropolin gjerman.

Policia gjatë paradites ka evidentuar mbi 20 bllokada të rrugëve jetike në qytet dhe në afrimet e qytetit dhe paraprakisht janë parandaluar disa bllokada”, njofton policia përmes rrjeteve sociale.

Aktivistët e “Brezit të Fundit”, shumë prej të cilëve kanë ardhur nga vende të tjera të Gjermanisë enkas për këto aksione ditët e fundit, kanë bllokuar rrugët duke përdorur metodën e aplikuar më parë të ngjitjes me ngjitës të posaçëm asfalti.

Gjatë largimit të protestuesve nga rruga, në disa vende është dëmtuar trotuari, ndërsa policia po flet për përzierje të reja të ngjitësit special që vështirësojnë edhe më shumë ndarjen e njerëzve nga asfalti.

Shumë shoferë i binin borisë për të protestuar kundër bllokadës dhe krijimit të bllokimeve të gjata të trafikut që bëri që shumë të vonoheshin në punë. Në disa vende vozitës i kanë sulmuar fizikisht protestuesit, ndërsa një shofer i ka sulmuar edhe me sprej piper. Policia ka ngritur kallëzim penal kundër sulmuesve për lëndim trupor dhe ka paralajmëruar qytetarët që të mos e marrin drejtësinë në duart e tyre.

“E kuptojmë plotësisht nëse drejtuesit e mjeteve janë të irrituar nga protestat, por apelojmë qytetarët që të mos bëjnë asgjë vetë dhe të mos përdorin forcën”, njofton policia atje, përcjell Demokracia.

Në të njëjtën kohë agjencitë raportojnë se disa kalimtarë vlerësojnë veprimet e “Brezit të fundit” dhe se u lënë buqeta me lule demonstruesve.

“Gjenerata e fundit” njoftoi një intensifikim të aksioneve këtë javë dhe “java e veprimit” filloi të dielën kur aktivistët lyen me spërkatje Portën e Brandenburgut, markën tregtare të Berlinit.

Sipas sondazheve të opinionit publik, shumica dërrmuese e qytetarëve nuk i mbështesin veprimet e “Brezit të fundit” dhe besojnë se veprimet i bëjnë më shumë dëm sesa mirë luftës kundër ndryshimeve klimatike.

“Brezi i fundit” i kërkon qeverisë gjermane të përshpejtojë aktivitetet për të ndaluar ndryshimet klimatike, ndër të tjera, duke vendosur një kufi të përgjithshëm shpejtësie në autostrada dhe duke subvencionuar akoma më shumë transportin publik, përcjell Demokracia.

Të ngjashme