Lajme
Akti Magnitsky| Çka është ligji “pro amerikan”, që e miratoi Kuvendi i Kosovës?
Demokracia
15:06 | 10 Qershor 2023

Share:

Kuvendi i Kosovës, në seancën e 7 qershorit miratoi një ligj shumë të veçantë. Kjo, për faktin se nga miratimi në Kuvend, tashmë vetëm Kosova do ta ketë një ligj të tillë në rajon.

Fjala është për Ligjin e Sanksioneve të Shënjestruara kundër Shkelësve të Huaj të të Drejtave të Njeriut, apo i njohur ndryshe si Akti Magnitsky. Ky ligj për herë u miratua në ShBA, gjatë administratës Obama. I njohur zyrtarisht si Akti i Përgjegjshmërisë për Shfuqizimin e Rusisë dhe Moldavisë Jackson-Vanik dhe Sergei Magnitsky për Sundimin e Ligjit, i vitit 2012, është një projekt-ligj dypartiak i cili gjeti mbështetjen edhe të Demokratëve edhe Republikanëve, i miratuar nga Kongresi i ShBA-së dhe i nënshkruar në ligj nga Presidenti Barack Obama në dhjetor 2012. Ky ligj synon të ndëshkojë zyrtarët rusë përgjegjës për vdekjen e avokatit rus të taksave Sergei Magnitsky në një burg në Moskë në vitin 2009. Ky ligj, u zgjerua në vitin 2016 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke marrë emrin Akti Global Magnitsky .

Kosova e para në rajon me këtë ligj

Kuvendi i Kosovës, në seancën e 7 qershorit miratoi këtë ligj shumë të veçantë. I veçant për faktin se vetëm Kosova në rajon bëhet me këtë ligj.

“Fillimisht u shqyrtuan dhe miratuan në lexim të dytë, bashkë me amandamente Projektligji për Agjencinë e Kosovës për Akreditim dhe Projektligji për sanksionet e shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të drejtave të njeriut.”, u tha në njoftimin e Kuvendit.

Miratimin e këtij ligji që Kurti e kishte quajtur shumë të rëndësishëm, e përshëndeti Presidentja Osmani, duke thënë se Akti Magnistsky, ishte një obligim që Kosova e mori nga Samiti për Demokraci.

“Parlamenti ynë ka miratuar Aktin Magnitsky, duke përmbushur kështu një tjetër angazhim që kemi marrë në Samitin për Demokraci.

Kosova vazhdon të udhëheq me shembull në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e drejtësisë”, ka shkruar Osmani.

Por çfarë parasheh ky ligj kaq i rëndësishëm?

Projektligji për Sanksionet e Shenjëstruara kundër Shkelësve të Huaj të të Drejtave të Njeriut, përcakton kriteret dhe procedurën për vendosjen dhe heqjen e sanksioneve të shënjestruara kundër shkelësve të huaj të të drejtave të njeriut, kryesve të huaj të veprave të rënda të korrupsionitdhe ka për qëllim mbështetjen e demokracisë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare.

Kjo pasi një ligj të tillë e kanë miratuar vetëm: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Autralia, Kanada, Bashkimi Europian, Estonia, Britania e Madhe, Lituania, Latvia, Gjibraltari dhe tash do ta ketë edhe Kosova.

Cili është qëllimi?

Ky ligj përcakton kriteret dhe procedurën për vendosjen dhe heqjen e sanksioneve tё shёnjestruara kundër shkelësve të huaj të të drejtave tё njeriut, përfshirë veprave të rënda të korrupsionit me qëllim të mbështetjes së demokracisë, sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare.

Ky ligj zbatohet ndaj të huajve të cilët janë përgjegjës ose ndihmojnë në kryerjen e shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut përfshirë veprave të rënda të korrupsionit, i njëjti zbatohet edhe ndaj anëtarëve të familjes dhe personave që asocohen me personat që konsiderohen shkelës.

Ministria përkatëse e punëve të jashtme identifikon personat “shkelës të të drejtave të njeriut” dhe i propozon Qeverisë vendosjen e sanksioneve të shënjestruara ndaj tyre.

Pra, me miratimin e këtij ligji, Qeveria e Kosovës i ka në duar disa sanksione të cilat mund t’i vendosë për personat e huaj, që nuk kanë shtetësi të Republikës së Kosovës, e të cilët evidentohen nga Ministria e Punëve të Jashtme, si shkelës të të drejtave të njeriut.

SHBA ishte e para e cila e miratoi këtë ligj

Akti Magnitsky, i njohur zyrtarisht si Akti i Përgjegjshmërisë për Shfuqizimin e Rusisë dhe Moldavisë Jackson-Vanik dhe Sergei Magnitsky për Sundimin e Ligjit, i vitit 2012, është një projekt-ligj dypartiak i cili gjeti mbështetjen edhe të Demokratëve edhe Republikanëve, i miratuar nga Kongresi i ShBA-së dhe i nënshkruar në ligj nga Presidenti Barack Obama në dhjetor 2012. Ky ligj synon të ndëshkojë zyrtarët rusë përgjegjës për vdekjen e avokatit rus të taksave Sergei Magnitsky në një burg në Moskë në vitin 2009. Ky ligj, u zgjërua në vitin 2016 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke marrë emrin Akti Global Magnitsky, shkruan Nacionale.

Ligji autorizon qeverinë amerikane të sanksionojë zyrtarët qeveritarë të huaj në mbarë botën që konsiderohen si shkelës të të drejtave të njeriut, të ngrijë asetet e tyre dhe t’i ndalojë ata të hyjnë në ShBA.

Edhe Bashkimi Evropian në vitin 2020 miratoi në Parlament ligjin për ndalesa udhëtimi, ngrirjen e fondeve e sanksione të tjera për ata që janë përgjegjës për shkeljen e të drejtave të njeriut në të gjithë botën, pra i njohur si “Akti Magnitski”.

Historiku

Në vitin 2009, avokati rus i taksave Sergei Magnitsky vdiq në një burg në Moskë pasi hetoi një mashtrim prej 230 milionë dollarësh që përfshinte zyrtarët rusë të taksave. Magnitsky u akuzua për kryerjen e mashtrimit nga zyrtarët rusë dhe u arrestua. Ndërsa ishte në burg, Magnitsky u sëmurë keq, dhe nuk iu dha trajtim mjekësor për muaj të tërë.

Pas gati një viti prapa grilave, ai u rrah për vdekje ndërsa ishte në paraburgim.

“Faji” i Magnitsky-t pra ishte se alarmoi autoritetet ruse se një grup i organizuar kriminal, në të cilin kishte të përfshirë zyrtarë të lartë rusë, kishin përvetësuar rreth 200 milionë euro.

Miku i Magnitskit, Bill Broëder, një biznesmen i njohur me origjinë amerikane që punonte në Rusi, e publikoi rastin dhe loboi te zyrtarët amerikanë që të miratonin legjislacionin që sanksiononte individët rusë të përfshirë në korrupsion.

Broëder ia çoi çështjen senatorëve Benjamin Cardin dhe John McCain, të cilët vazhduan të propozonin legjislacionin.

Në qershor 2012, Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara për Punët e Jashtme i raportoi Dhomës një projekt-ligj të quajtur Akti i Përgjegjshmërisë për Sundimin e Ligjit Sergei Magnitsky i 2012.

Qëllimi kryesor i ligjit ishte ndëshkimi i zyrtarëve rusë, të cilët mendohej se ishin përgjegjës për vdekjen e Sergei Magnitsky, duke ndaluar hyrjen e tyre në Shtetet e Bashkuara dhe përdorimin e sistemit të saj bankar.

Administrata e Obamës e luftoi projektligjin derisa Kongresi sinjalizoi se nuk do të shfuqizonin një ligj tjetër që ishte me rëndësi për administratën Obama, nëe nuk do të kalonte Akti Magnitsky.

Në nëntor 2012, dispozitat e projekt-ligjit Magnitsky iu bashkëngjitën një projektligji të Dhomës që normalizonte tregtinë me Rusinë dhe Moldavinë.

Më 6 dhjetor 2012, Senati i SHBA miratoi versionin e Dhomës së Përfaqësuesve të ligjit. Ligji u nënshkrua nga Presidenti Barack Obama më 14 dhjetor 2012.

Të ngjashme