Lajme
Aktakuzë ndaj një mjeku në Podujevë, rekomandoi mbesën e tij për punësim në QKMF
Demokracia
17:04 | 02 Mars 2023

Share:

Është ngritur aktakuzë ndaj një mjeku në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë, pasi i njëjti, sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, në cilësinë e anëtarit të komisionit vlerësues të kandidatëve për një konkurs, ka rekomanduar mbesën e tij për punësim në Stomatologjinë e QKMF-së Podujevë.

Sipas prokurorisë, konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, “pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit G.Th., për shkak të veprës penale ‘Konflikti i interesit’”.

“Sipas aktakuzës, i pandehuri i lartcekur, në cilësi të personit zyrtar (mjek) në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Podujevë, ka marrë pjesë personalisht në një çështje zyrtare, lidhur me përzgjedhjen e një doktori të Stomatologjisë në QKMF Podujevë, dhe atë të mbesës së tij, në atë mënyrë që në cilësinë e anëtarit të komisionit për vlerësimin e kandidatëve në testin me shkrim dhe intervistimin me gojë, ka rekomanduar që e njëjta të zgjidhet si doktor i Stomatologjisë, në konkursin e publikuar më 09.06.2022, e cila është përzgjedhur në këtë pozitë, dhe pas verifikimit të lidhjes familjare ky konkurs është anuluar”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Me këtë, thuhet se i pandehuri ka kryer veprën penale të lartcekur, andaj Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.

Të ngjashme