Lajme
Aksioni simbolik i ORCA’s, Gola: Qasje kërcënuese, diskurs kriminalizues
Demokracia
14:42 | 02 Mars 2023

Share:

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA, pak para fillimit të mbledhjes së Komisionit Parlamentar për Arsim ka organizuar aksion simbolik, siç theksojnë organizatorët për të demaskuar përpjekjet e dyshimta të deputetit Ardian Gola për ndërhyrjet në Ligjin për Agjencinë e Kosovës për Akreditim.

Në kohën e kur ndodhi aksioni, Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ka miratuar Projektligjin për Agjencinë e Akridetimit.

Aktivisti i kësaj ORCA-s, Dibran Hoxha tha se të gjitha këto ndërhyrje janë bërë me qëllim që t’ia marr Agjencisë rolin kryesor që ka e që është përcaktimi i kritereve të akreditimit të cilat përcaktohen ekskluzivisht nga manualet e akreditimit që i nxjerrë Agjencia e Akreditimit.

“Tendencat e vazhdueshme të deputetit Ardian Gola mbeten të paqarta për ORCA-n, por të dyshimta gjithsesi… Deputeti Gola ka bërë ndërhyrje në draftin origjinal të projektligjit duke ndryshuar nenet që lidhen me akreditimin krahas nivelit të studimeve, gradës shkencore dhe publikimeve shkencore që duhet t’i kenë bartësit e programeve në proces të akreditimit. Deputeti Gola ka ardhur me propozimin që standardet e akreditimit të përcaktohen përmes udhëzimeve administrative nga ministria. Të gjitha këto ndërhyrje janë bërë me qëllim që t’ia marr Agjencisë rolin kryesor që ka e që është përcaktimi i kritereve të akreditimit të cilat përcaktohen ekskluzivisht nga manualet e akreditimit që i nxjerrë Agjencia e Akreditimit, që burojnë nga standardet evropiane të përcaktuara nga ENQA dhe EQAR (standardet ESG). Përcaktimi i tyre në ligj e bën të pamundshëm avancimin e tyre në të ardhmen, apo përcaktimi i tyre nga Ministria ia merr funksionin kryesor të Agjencisë çka është detyrim për Agjencinë kur të bëhet anëtare me të drejta të plota në ENQA dhe EQAR”, tha Hoxha.

Të njëjtit dyshojnë se kjo nuk do të mund të bëhej e mundur pa bashkëpunimin e ministres së Arsimit Arbërie Nagavci, siç tha Hoxha, e cila si sponzorizuese e ligjit ka të drejtë të mos lejojë deviacione të tilla që e deformojnë kualitetin e ligjit e si rrjedhojë  cilësinë në arsimin e lartë.

ORCA ka kërkuar që drafti që vendoset për votim para deputetëve të jetë ai për të cilin ka pasur konsensus shoqëror, të ekspertëve dhe zyrtarëve evropianë që është krijuar në procesin e deritashëm të hartimit të draftit origjinal.

Ndërkaq, kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Gola, duke komentuar veprimin e organizatës, tha se ORCA ka huqje të mëdha metodologjike. Derisa tha se qasja e saj është kërcënuese dhe ka një diskurs kriminalizues sidomos për Universitetin e Prishtinës.

“Kali në fakt është qenie shumë fisnike dhe çfarëdo përpjekje për t’i përdorur shtazët për të bërë sulme politike, tregojnë më shumë për karakterin dhe formimimin e personalitetin e aktivisteve, sesa flasin për diçka tjetër. Pra, çdo kafshë është qenie fisnike por sidomos kali. ORCA ka huqje aq të mëdha metodologjike, aq e kanë kritiken të personalizuar dhe aspak sistematike saqë më vjen keq që është organizata e vetme që sot ka zë për arsimin në Kosovë. Fatkeqësisht qasja e saj është kërcënuese dhe ka një diskurs kriminalizues sidomos për Universitetin e Prishtinës, është shumë gabim”, tha Gola.

Gjatë ditës së sotme, komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, ka miratuar projektligjin për Agjencinë e Akridetimit.

Kryetari i këtij komisioni, Ardian Gola tha se ju është imponuar të tregojmë një lloj koherence dhe konsistence me statusin që i kanë dhënë kësaj Agjencie.

“Na është imponuar të tregojmë një lloj koherence dhe konsistence me statusin që i kemi dhënë kësaj Agjencie si rregullator e që është më shumë e bërë për shkak të nevojës me imonizu institucionalisht këtë Agjenci prej interferimeve çfarëdo qofshin ato. Çështja e kritereve dhe standardeve, vazhdoj të besojë që qeveria do duhej të kishte përmes ligjit fjalën e fundit, për shkak se mendoj se Agjencia për Akreditimin e Kosovës ka një histori shumë të trisht me përvoja të shumta që dëshmojnë se ka pas vendimmarrje arbitrare…Shkarkimi që është bërë i paligjshëm nga ish-kryeministri Haradinaj nuk ka pas të bëjë më interferimin politik në hartimin e standardeve, edhe ashtu qeveria ka pas të drejtën të hartojë standarde. Mendoj se është krijuar një kauzë publike që në masë të madhe ka shkarje me arsyejet e vërteta të shkarkimit të atëhershëm nga ish-kryeministri Haradinaj, dhe kjo është përdorur më shumë si pretekst për të ndërtuar një kauzë që me tërheq Agjencinë jashtë ndikimit qeveritar që mendoj se është shumë normale. Me ligj do të ishte opsioni shumë më i mirë t’i fiksoj kriteret bazë kuantitative”, tha Gola.

Sipas tij, ka ngecje vlerësimi i përshtatshmërisë profesionale për fushën.

“Kjo që i është lënë me udhëzim administrativ ministrisë është përcaktimi i mënyrës se si duhej të vlerësohej përshtatshmëria bartëse të programit në fushën e programit për të cilën duhet të akreditohet. Aktualisht edhe KShC nuk e ka një metodë krejtësisht të qartë si duhet të vlerësohet. Mendoj se padrejtë disa programe madje janë edhe penalizuar duke i diskualifikuar X profesionistët dhe X profesorë për shkak se nuk e paska përshtatshmërinë dhe kualifikimin e duhur për një program, ndërkohë nëse lexohet CV shihet qartë se në fakt i plotëson kushtet, por çështja është tek mungesa e një procedure, që në mënyrë të qartë i detajon mënyrat se si duhet të vlerësohet përshtatshmëria profesionale për fushën”, tha Gola mes tjerash./KP/

 

Të ngjashme