Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë kanë realizuar sot një aksion të gjerë në kuadër të dyshimeve për veprën “Fajde”.
Në kuadër të këtij aksioni, policia ka arrestuar 15 persona të dyshimtë.
Poashtu gjatë këtij operacioni policor janë sekuestruar edhe para të shumta, saktësisht një pasuri e madhe nga të dyshimtët.
Lidhur me këtë nga Prokuroria e Pejës kanë njoftuar se do të mbahet edhe një konferencë për media, nga ora 15:00.
“Ftoheni të merrni pjesë në konferencën e jashtëzakonshme për media të organizuar nga Prokuroria Themelore në Pejë , lidhur me aksionin e zhvilluar sot në koordinim me Policinë e Kosovës (Drejtoria për hetimin e krimit të organizuar), ku janë arrestuar dhjetëra persona për veprën penale fajdeja”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
E në media tashmë janë publikuar disa nga emrat e personave të dyshuar në këtë rast.
Njëri nga të arrestuarit sot është edhe Drin Podrimqaku, person ky i njohur për organet e hetuesisë, pikërisht për veprën e lartcekur, fajde.
Drin Podrimqaku madje ishte bërë emër edhe më i njohur kur u arratis nga organet e hetuesisë dhe drejtësisë në vend.
Podrimqaku kishte arritur që pasi ishin dorëzuar paratë nga viktima e fajdes të largohej nga vendi ku kreu takimin dhe me një vozitje të rrezikshme ishte arratisur nga vendi i ngjarjes.
Ai gjithashtu kishte rrezikuar edhe jetën e një zyrtari policor, pasi ky i fundit kishte tentuar ta ndalonte arratisjen e tij dhe i njëjti e kishte sulmuar me veturë.
Menjëherë pas këtij veprimi të Podrimqakut, prokurori ndërmori masa urgjente.
Me urdhër të prokurorit Ersan Qavolli ishte vendosur që të bllokoheshin të gjitha rrugët e Pejës në mënyrë që të kapet dhe arrestohet i dyshuari i cili tani më ishte person me rrezikshmëri të lartë, përcjell lajmi.net.
Përveç veprimeve ku rrezikoi jetën e zyrtarëve policorë, i njëjti dyshohej se ishte i armatosur pasi që në data bazën e policisë figuronte se posedonte disa armë me leje.
Driton Podrimqaku ishte shpallur edhe preson në kërkim nga Policia e Kosovës.
I njëjti po kërkohej nën dyshimin për veprën “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Disa nga të arrestuarit e sotëm ngarkoheshin edhe me vepra të tjera më parë, e së fundi pritet që të njëjtit të përballen sërish me organet e hetuesisë në vend.