Lajme
Aksionet në veri, dinari e Asociacioni në Kushtetuese: Mesazhet e ambasadorëve për qeverinë Kurti
Demokracia
22:55 | 23 Maj 2024

Share:

Tre ambasadorët e shteteve mike të Kosovës, në intervista të ndryshme, brenda një nate, kanë dhënë mesazhe të qarta për Qeverinë e Kosovës.

Duke nisur nga aksioni i fundit në veri, rregullorja për Dinarin e deri te dërgimi i Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese në mënyrë urgjente.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, në një intervistë për RTK-në deklaroi se Gjykata Kushtetuese është institucioni që duhet ta thotë fjalën e fundit për draftin e Asociacionit.

Sipas tij, ata do ta respektonin cilido që të jetë vendimi i Kushtetueses.

“Ne pajtohemi që në Kosovë të mos ketë një Republikë Serbe. Pajtohemi që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të mos ketë autoritet ekzekutiv; nuk duhet të krijojë një shtresë të re të qeverisë; nuk duhet të pengojë funksionimin e mirë të shtetit kosovar dhe duhet të jetë në përputhje të plotë me kushtetutën aktuale të Kosovës. Ky draft besojmë se i përmbush të gjitha këto. Ka disa që argumentojnë se ky draft-statut duhet të përmirësohet ose ndoshta nuk është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe kjo është arsyeja pse e vetmja gjë që po kërkojmë nga Kosova të bëjë është që ta dërgojë atë tek ky organ, te organi i vetëm në planet që ka autoritetin dhe kompetencat aktuale për të përcaktuar nëse është në përputhje me Kushtetutën apo jo – Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës”, tha Hovenier.

“Kjo është ajo që po kërkojmë. Tani, ne të gjithë do të respektojmë rezultatin e atij procesi. Të gjithë do të respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Duke pasur parasysh të gjitha ato përparësi, është e vështirë për ne të kuptojmë përse qeveria mund të dëshirojë të shqyrtojë një draft tjetër që ndoshta nuk do të ofrojë të gjitha përparësitë që i përmenda më lart. Pra, shpresojmë në përpjekjet tona për ta parë Kosovën të përparojë në rrugën e saj evropiane, që qeveria të marrë parasysh këshillat tona”, deklaroi ai.

Hovenier me mesazhe të qarta: Koordinim para aksioneve në veri, Asociacioni urgjentisht në Kushtetuese

Kërkesë të njëjtë ka pasur edhe ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot. Ai në RTV Dukagjini ka deklaruar se presin veprime konkrete nga qeveria për Asociacionin. Ai ka thënë se Asociacioni është fakt jete për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Mesa kam njohuri, asnjë vend gjatë takimeve aso sa herë ka qenë e mundur kanë këkruar formalisht që të diskutohet aplikacioni i Kosovës, nuk ka qenë në agjendë, s’ka pasur kërkesë zyrtare. I bie që nuk është vetëm Franca dhe Gjermania, por janë pak a shumë gati të gjkithë. Duhet të jetë pika fillestare e reflektimit pse është kështu, në vend të mundohemi të analizojmë nëse është parakusht, kusht i mëvonshëm, rekomandim, është bërë një fakt jete, për të cilin të gjithë, presim të ndodhë dicka lidhur me Asociacionin”, tha ai.

Ambasadori francez kërkon nga Qeveria të mos i surprizojë, thekson nevojën e koordinimit

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka kritikuar aksionin e fundit në veriun e Kosovës.

“Kemi theksuar legjitimitetin që të ketë valutën e vetme të veten, e vetmja gjë që kemi kritikuar ka të bëjë me zbatimin, kjo është një temë e dialogut. Çdo aktivitet i pakoordinuar sjell pasoja, dhe ndërlikon atmosferën politike. Legjitimiteti i vendimit të BQK-së nuk është vënë në pikëpyetje, ne kritikojmë mënyrën e zbatimit që ka qenë paakodinuar”, ka thënë ambasadori gjerman në RTV Dukagjini.

Kritika të ngjashme pati edhe ambasadori amerikan. Ai theksoi se kërkojnë vetëm koordinim.

“Unë nuk kam planifikuar domosdoshmërish të flas për këtë, por ka pasur edhe një çështje tjetër pikërisht këtë javë në të cilën Policia e Kosovës, me udhëzimin e Ministrit të Brendshëm, kreu operacione në veri të Kosovës në mënyra që ne menduam se nuk kontribuuan në synimet tona afatgjata të përbashkëta për stabilitetin dhe sigurinë që gjërat të bëheshin në një mënyrë që çojnë përpara dialogun dhe rrugën euroatlantike të Kosovës. Ne i ngritëm shqetësimet tona. Por, rezultati i këtij operacioni që qeveria e vijoi – dhe e bëri këtë veprim policor në një mënyrë që ne menduam se nuk ishte i koordinuar dhe që vinte në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për zgjidhjen e disa çështjeve në dialog – rezultoi me deklarata publike nga Shtetet e Bashkuara, nga Bashkimi Evropian, shtetet individuale anëtare të BE-së, misioni i NATO-s, misioni i OSBE-së, të tjerët – të gjithë pak a shumë thanë të njëjtën gjë: kjo nuk është mirë për Kosovën”, tha ambasadori amerikan në një intervistë në Televizionin Publik të Kosovës.

“Ne duam ta shohim Kosovën përpara dhe pa marrë parasysh a pajtoheni me interpretimin tonë apo me interpretimin e qeverisë për këtë veprim, nëse Kosova dëshiron të ecë drejt strukturave evropiane dhe euroatlantike, ajo duhet të kenë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, shteteve individuale të BE-së, misionit të OSBE-së, NATO – pikërisht të këtyre institucioneve në të cilat Kosova dëshiron të anëtarësohet. Pra, ne duam që qeveria të punojë me ne. Ne pajtohemi me përgjegjësinë e qeverisë për të ushtruar sovranitet mbi tërë territorin e saj. Në këtë rast, ne jemi dakord që Banka Qendrore duhet të rregullojë institucionet financiare, por mënyra se si bëhet kjo duhet të jetë koordinim me ne për t’u siguruar që veprimet nuk vënë domosdoshmërish në pikëpyetje ose nuk pengojnë diskutimet e vazhdueshme në dialog apo nuk krijojnë sfida apo japin sinjale shtesë për një komunitet pakicë. Ne duam atë nivel bashkëpunimi. Shpresoj se do ta kemi atë, por duhet të them se më është dashur ta them këtë disa herë dhe nuk e kam parë ende atë rritje në bashkëpunim që shpresojmë ta shohim”, deklaroi më tutje ambasadori Hovenier në RTK.

Ambasadori gjerman thotë se këshillat e tyre po injorohen, kërkon nga Qeveria të mos veprojë pa koordinim

 

Të ngjashme
Lajme • 16 Qershor 2024