Lajme
“Aksione të pakoordinuara dhe përshkallëzojnë tensionet” | Sveçla nuk di t’i lexojë reagimet e ShBA-së: Nuk ka kritika, janë brenga
Demokracia
09:48 | 17 Qershor 2024

Share:

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur për kritikat e Departamentit të Shtetit dhe vendeve të QUINT-it, për aksionet e Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Duket se ministri i Albin Kurtit, nuk di t’i lexojë kritikat e aleatëve të Kosovës, se ai në një deklaratë për Ekonomia Online ka thënë se nuk janë kritika por janë brenga.

“Nuk ka kritika, ka brenga të cilat kohë pas kohë ata i shfaqin. Ne bashkëpunojmë ngushtë më të gjithë, i kuptojmë brengat e tyre, por po ashtu qeveria e Republikës së Kosovës ka obligim qoftë ndaj gjeneratave të tanishme, por edhe brezave të ardhshëm që njëherë e përgjithmonë situatën atje ta stabilizojë në të mirë dhe rendit e ligjit”, ka thënë Sveçla.

“Atje është qetë është situatë e brishtë, por Policia e Kosovës është tregu jashtëzakonisht e zonja që të menaxhojë dhe të ballafaqohet me të gjitha sfidat”, ka thënë Sveçla.

Ditë më parë Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha se është i zhgënjyer që Policia e Kosovës ka ndërmarrë aksion në zyrat financiare në veri të Kosovës më 20 maj.

DASH-i shtoi se aksioni nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe përshkallëzon tensionet.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si kanali i duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe të adresojë nevojat themelore të të gjithë qytetarëve të saj – duke përfshirë ato të minoritetit serb – të ndikuara negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhat”, thanë nga DASH për REL.

Sipas Departamentit të Shtetit, ky veprim minon perceptimet për mirëbesimin e Kosovës në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Autoritetet në Kosovë kanë kryer një operacion policor ndaj institucioneve financiare serbe në veri të Kosovës, që rezultoi me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Gjatë aksionit, që autoritetet e Kosovës thanë se kishte të bënte me vendosjen “e rendit dhe ligjshmërisë”, u konfiskuan prova të ndryshme, përfshirë para.

Policia e Kosovës, që bashkëngjiti fotografi të parave të konfiskuara, tha se u gjeti “rreth 1.600.000 euro, rreth 74.700.000 dinarë serbë, rreth 19.500 franga, rreth 13.800 dollarë amerikanë, rreth 40 dollarë australianë”.

Policia e Kosovës tha se aksioni në veri të Kosovës u krye pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, sikurse njësia e inteligjencës financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës. Në aksion mori pjesë edhe Administrata Tatimore e Kosovës.

DASH theksoi se Qeveria amerikane ka bërë thirrje vazhdimisht për koordinim mes “dy qeverive tona” për ta mbështetur përparimin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike.

Këtë e ka bërë edhe përmes nënsekretares amerikane të Shtetit për Diplomaci dhe Çështje Publike, Liz Allen, e cila u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 19 maj në Prishtinë, tha DASH për REL-in.

Aksioni i autoriteteve të Kosovës vjen një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Rregullorja e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave.

DASH tha se Shtetet e Bashkuara theksojnë shqetësimin e tyre të qartë për zbatimin e rregullores së BQK-së.

Kosova dhe Serbia janë takuar shtatë herë muajt e fundit në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për ta gjetur një zgjidhje për dërgimin e ndihmës financiare nga Serbia për serbët e Kosovës, por nuk kanë gjetur pajtim deri tani.

Të ngjashme