Lajme
AKK s’tregon nëse kallëzimi penal përfshin kompaninë e Martin Berishajt në Mal të Zi, ku pranoi para nga GEN-i serb
Demokracia
15:12 | 17 Gusht 2022

Share:

Agjencia Kundër Korrupsionit nuk ka treguar nëse kallëzimi penal kundër ambasadorit Martin Berishaj përfshin edhe fshehjen e biznesit “MB Consulting” në Mal të Zi, ku pranoi qindra mijëra euro nga kompania GEN-i/dega në Serbi apo vetëm dy bizneset e padeklaruara që i ka në Kosovë.

Demokracia.com e ka pyetur Agjencinë Kundër Korrupsionit, nëse kallëzimi penal përfshin edhe fshehjen e biznesit që ai ka në Mal të Zi, e cila është shkelje e njëjtë e ambasadorit Martin Berishaj, por ky institucion i ka bishtnuar përgjigjes zyrtare.

Po ashtu, Demokracia.com e ka pyetur AKK-në nëse po “amnistohet” ambasadori Martin Berishaj, duke mos ngritur kallëzim penal edhe për biznesin e fshehur në Mal të Zi “MB Consulting”, që të relativizohet skandali rajonal financiar, ku u dëshmua se ai pranoi në mënyrë të rregullt mijëra euro nga kompania GEN-I, dega në Beograd, por sërish AKK duke u thirrur në mbrojtjen, ruajtjen dhe konfidencialitetin e të dhënave, nuk ka treguar nëse kallëzimi penal i është bërë vetëm për fshehjen e bizneseve të tij në Kosovë apo edhe për atë në Mal të Zi.

“Në lidhje me pyetjen e adresuar, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit është e obliguar ta respektoj dispozitën ligjore të Ligjit NR.08/L-01703/ për Agjencinë Për Parandalimin e Korrupsionit i cili ka hyrë në fuqi në gusht të këtij viti dhe i njëjti ka përcaktuar me Nenin 28 (Publikimi, mbrojtja e të dhënave, ruajtja e të dhënave dhe konfidencialiteti i informacionit) se: Zyrtarët e Agjencisë, çdo person i punësuar nga Agjencia, si dhe të gjithë personat që vihen në dijeni për fshehtësinë zyrtare gjatë bashkëpunimit me Agjencinë, janë të detyruar ta ruajnë si informacion të klasifikuar çdo informacion që e kanë mësuar gjatë ushtrimit të detyrës së tyre, që konsiderohet fshehtësi e informacionit zyrtar, në pajtim me ligjin përkatës në fuqi. 2. Në kuptim të këtij ligji informacion i klasifikuar zyrtar konsiderohen: 2.1. informacionet në lidhje me të dhënat personale të individëve që janë ose kanë qenë objekt i hetimit administrativ nga Agjencia, … 3. Agjencia obligohet të ruajë të dhënat, informacionin dhe dokumentacionin e marrë në bazë të këtij ligji dhe në pajtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjen e AKK-së për Demokracia.com.

Kjo dispozitë ligjore është e rëndësisë së veçantë, sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit, pasi që Prokuroria gjatë trajtimit të rastit mund ta hedhë kallëzimin penal apo mund të zhvillojë hetime dhe ndjekje penale.

Për publikun nuk është bërë e ditur nëse në kallëzimin penal ndaj ambasadorit Martin Berishaj është përfshirë edhe mosdeklarimi i kompanisë së tij në Mal të Zi, ku në emër të konsulencës kishte pranuar në të kaluarën rregullisht para nga kompania GEN-I, dega në Beograd.

Sipas raportimeve mediale, Berishaj me kompanitë e tij në Kosovë nuk ka qarkulluar dhe ai mund të dënohet vetëm simbolikisht për mosdeklarim, ndërkaq nëse kallëzimi penal nuk përfshin edhe bizneset e padeklaruara të tij që i ka jashtë vendit, ai amnistohet tërësisht nga fshehja e të hyrave që ka nga kompania në Mal të Zi dhe Qeveria “shpëlahet” nga skandali rajonal ku Berishaj ishte përfshirë muaj më parë. /Demokracia.com/

Të ngjashme