Lajme
AKB: Protestat janë të pashmangshme – Nuk mund ta pranojmë këtë padrejtësi energjetike!
Demokracia
13:22 | 22 Maj 2025

Share:

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka mbajtur takimin e rregullt të Bordit udhëheqës, ku u trajtua me shqetësim të thellë vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për të detyruar rreth 1300 biznese që nga 1 qershori 2025 të dalin nga furnizuesi universal, si dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike për 16.10%.

Sipas AKB-së, ky vendim është i papranueshëm, i njëanshëm dhe godet rëndë sektorin privat, sidomos prodhuesit dhe ofruesit e shërbimeve vendore, të cilët tashmë po përballen me sfida të mëdha financiare dhe treg të pasigurt.

Nga ky takim u tha se rreth 50 milionë euro shtesë në vit do të paguhen nga bizneset vetëm për energji, kosto që përfundimisht bie mbi qytetarët e Kosovës përmes rritjes së çmimeve dhe humbjes së vendeve të punës.

AKB-ja në këtë takim ka kërkuar shtyrjen urgjente për të paktën një vit të këtij vendimi, përfshirjen e bizneseve në konsultimet vendimmarrëse dhe rishikimin e menjëhershëm të tarifave dhe kushteve të tregut të hapur energjetik.

“Nëse kërkesat tona injorohen, AKB-ja do mund të ndërmarrë masa demokratike dhe të vendosura protestuese, duke përfshirë protesta të organizuara me punëtorë dhe mjete pune në rrugët kryesore të Kosovës, mbyllje të përkohshme të bizneseve dhe shprehje të pakënaqësisë në sheshe dhe para institucioneve. Nuk do të mund të lejojmë që politika e energjisë të bëhet barrë për ekonominë vendore dhe konsumatorin e zakonshëm”, ishte konstatim i Bordit udhëheqës të AKB-së.

 

Të ngjashme