OpEd
Ajo Madeleine Albright që pakkush e ka njohur
Demokracia
07:22 | 28 Prill 2022

Share:

Nga James Rubin

Sot gjatë ditës, ndërsa u ula në Katedralen Kombëtare në Uashington, D.C. – ashtu si presidenti Joe Biden, ish-presidentët Bill Clinton dhe Barack Obama, ish-sekretaret e shtetit Hillary Clinton dhe Condoleezza Rice dhe shumë e shumë të tjerë – në mendjen time u rikthyen disa kujtime, shumë kujtime në kohë shumë të ndryshme: një kohë kur Amerika respektohej, admirohej nga mbarë bota, një kohë në fund të viteteve ’90 kur Madeleine Albright u bë gruaja e parë që u emërua Sekretare e Shtetit.

Siç kanë shkruar edhe shumë të tjerë, Albright solli mençuri, qartësi, humor dhe i solli një ndihmë të plotë njerëzimit për çdo gjë që ajo bëri. Dhe ajo gjithmonë bënte diçka. Dhe i bënte me entuziazëm dhe vendosmëri. Qoftë në rolin e saj si profesoreshë në Universitetin Georgetown, autore e disa librave, mentore e brezave të profesionistëve të politikës së jashtme, këshilltare e kandidatëve demokratë për president, ambasadore në Kombet e Bashkuara apo sekretarja e parë femër e shtetit në Amerikë, Albright erdhi e përgatitur dhe punoi shumë.

Për shtatë vite të jashtëzakonshme, nga viti 1993 deri në vitin 2000, në Kombet e Bashkuara dhe në Departamentin e Shtetit, duke shërbyer si zëdhënëse dhe këshilltare e ngushtë, e pashë të formësonte politikën e jashtme amerikane në një kohë shumë të veçantë në histori. Pra, me shpresën për të plotësuar historinë e kohës së saj në detyrë si Ambasadore e OKB-së dhe Sekretare e Shtetit, më lejoni të ofroj një perspektivë me të cilën vetëm disa e dinë dhe e kanë të njohur.

Në vitet 1990, Sekretarja Albright ishte një grua e vetme në një “det burrash”. Në Kombet e Bashkuara, ajo bënte shaka se nëse do të shkruante ndonjëherë një libër, do të quhej “14 kostume dhe një fund”, pasi e kalonte shumicën e kohës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së me 14 ambasadorë meshkuj. Në atë kohë, nga 180 vende, kishte vetëm pesë ambasadore të tjera femra.

(Rreth 28 vjet më vonë, e telefonova nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në Paris për t’i thënë se shumëçka kishte ndryshuar që nga klubi i saj prej gjashtë anëtarësh. Sot, nga 38 demokracitë kryesore që përbëjnë OECD-në, më shumë se gjysma ishin e përfaqësuar nga ministre të jashtme ose të financave poashtu femra në takimin e parë që mora pjesë. Ajo qeshi dhe pyeti: “Pse u desh kaq shumë kohë?”)

Në atë kohë, ishte vërtetë ndryshe. Dhe iu desh shumë besim dhe sharm për të vepruar si e vetmja femër.

Për shembull, kur u bë Sekretare e Shtetit, ajo më tha se kishte vendosur të përpiqej të punësonte ekipin më të fortë të mundshëm, edhe nëse kjo nënkuptonte vështirësinë për t’u përballur me egot mashkullore që vijnë pashmangshmërisht me personalitete të forta. Dhe pastaj ajo bëri pikërisht këtë. Zëvendës sekretari i saj ishte Strobe Talbott.

Dy nënsekretarët ishin Tom Pickering dhe Stuart Eizenstat. Ajo kishte Dennis Ross si të dërguar për paqen në Lindjen e Mesme. Martin Indyk ishte një ndihmës sekretar. Morton Halperin ishte drejtor i planifikimit të politikave. Dhe Richard Holbrooke ishte një i dërguar special për Ballkanin së bashku me Bob Gelbard. (Kur ata të dy udhëtuan së bashku, në mënyrë të pashmangshme dikush u dëgjua duke bërë shaka se “egoja po bie.”)

Këta janë vetëm disa nga emrat nga ajo që duhet të ketë qenë një nga ekipet më të forta të Departamentit të Shtetit të kohëve të fundit.

Unë guxoj të them se të tjerët në pozicionin e saj nuk do të kishin zgjedhur domosdoshmërisht atë lloj ekipi, por Albright donte atë që ishte më e mira për qeverinë në përgjithësi, edhe pse ajo e dinte se kjo do ta bënte punën e saj më të vështirë dhe më të hapur ndaj kritikave. Kjo ishte vetëm mënyra e saj.

Dhe kjo është arsyeja pse të tjerët mund të mos kenë arritur kaq shumë.

Përveç punës së saj për të parandaluar një gjenocid të mundshëm të shqiptarëve të Kosovës, për të sjellë paqe dhe ndryshime demokratike në Ballkan dhe për të zgjeruar NATO-n duke përfshirë Poloninë, Republikën Çeke dhe Hungarinë, pati arritje diplomatike në Lindjen e Mesme (marrëveshja e lumit Wye), zbatimin e marrëveshjeve për të parandaluar që Koreja e Veriut të bëhet një shtet me armë bërthamore, krijimin e gjykatave të krimeve të luftës për Ruandën, Bosnjën dhe Kosovën, paketën gjithëpërfshirëse të ndihmës “Plan Columbia” për të ndihmuar transformimin e atij vendi në një histori suksesi të demokracisë, duke ngritur çështjen e të drejtave të grave në diplomacinë amerikane, frenimin e Irakut dhe Iranit, ecjen përpara në marrëdhëniet me Indinë, forcimin e marrëdhënieve të sigurisë me Japoninë, Akti i Rritjes dhe Mundësive Afrikane (2000), ratifikimi i Konventës së Armëve Kimike, negociatat për armë strategjike bërthamore me Rusinë dhe shumë më tepër.

Po, ky ishte momenti unik i epërsisë amerikane për të cilën njerëzit flasin aq shumë, kur Ministri i Jashtëm i Francës na quajti “superfuqia”. Por ishte Albright, e mbështetur nga udhëheqja e sigurt e Klintonit (në mandat të dytë) në politikën e jashtme, e cila donte të përfitonte plotësisht nga ai moment në histori duke ndërtuar një ekip që mund ta bënte atë, pavarësisht nga ato personalitete të forta. Ky është një mësim menaxhimi që ia vlen të mbahet mend.

Ndërsa Albright punoi në secilën prej këtyre platformave dhe shumë të tjera ishte ekspertiza dhe vendosmëria e saj unike për çështjet evropiane që më qëndrojnë më së shumti në mendje. Në të vërtetë, pas vdekjes së saj, presidenti Klinton bëri homazhe për rolin e saj historik në ndërtimin e një Evrope të lirë dhe në paqe. Sepse në rastet e Kosovës dhe zgjerimit të NATO-s, përfshirja e saj bëri një ndryshim vendimtar.

Për shkak se Albright e kuptonte mentalitetin e Evropës Qendrore dhe Lindore, me të gjitha ankthet dhe pasiguritë e saj, ajo dinte saktësisht se si t’i risiguronte këto vende për angazhimin e ShBA-së për lirinë dhe sigurinë e tyre. Në mënyrë të ngjashme, kur punonte me Rusinë, ajo e dinte se sa e rëndësishme ishte bashkëpunimi dhe konsultimi, por gjithashtu dinte se kur të ishte e vendosur. Për shembull, në finalen e fundit të bisedimeve në lidhje me pranimin nga Rusia të zgjerimit të NATO-s, pati një moment të paharrueshëm kur ministri i jashtëm i atëhershëm i Rusisë, Yevgeny Primakov, u përpoq të kufizonte të drejtat e vendeve të ish-Traktatit të Varshavës. Më kujtohet një moment kur një sallë konferencash shtetërore në katin e shtatë në Departamentin e Shtetit ishte në një qetësi të frikshme ndërsa ajo i kujtoi Primakovit të gjitha herët kur vendet e Evropës Lindore ishin braktisur. “Kësaj radhe,” i tha ajo, “ne nuk do të negociojmë mbi kokat e vendeve të Evropës Lindore. Ne nuk do t’iu mohojmë atyre mundësinë për t’i marrë vetë këto vendime”. Dhe kjo ishte hera e fundit që delegacioni rus kërkoi të përfshinte një gjuhë të tillë kufizuese në Aktin Themelues NATO-Rusi të vitit 1997.

Natyrisht, ajo ishte plotësisht e vetëdijshme se frika nga ringjallja e Rusisë, ishte një faktor kryesor që motivonte vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore për të qenë pjesë e NATO-s. Dhe ajo ndau pikëpamjen e tyre, se sa më shpejt të zgjerohej NATO, aq më mirë. (Vitin e kaluar ajo vuri në dukje, se të vetmet vende që Rusia po kërcënonte me veprime ushtarake, ishin ato që nuk hynë në Aleancë). Por kjo nuk e pengoi atë të bënte gjithçka që mundi për ta mbajtur Rusinë anash, nëse kjo kërkonte që ajo të fliste në rusisht apo t’i magjepste zyrtarët e tyre të lartë. Do të ruaj gjithmonë një imazh të gjallë të Albright-it dhe Primakov-it, që ecin në dukje krah për krah përmes Muzeut Hermitage në Shën Petersburg në një nga “netët e bardha” të famshme ruse.

Pikërisht në lidhje me politikën në ish-Jugosllavi, Albright pati ndikimin më të madh. Sepse kur nacionalistët serbë lëshuan makinën e tyre të spastrimit etnik mbi shqiptarët e Kosovës në vitin 1998, ata dolën kundër një bote perëndimore në kulmin e fuqisë së saj dhe një sekretareje shteti të vendosur për të parë Shtetet e Bashkuara të përmbushin rolin e tyre si “kombi i domosdoshëm”.

Strategjia që ajo formuloi ishte diplomacia e mbështetur në forcë. Pengesa e parë për t’u kapërcyer ishte ngurrimi i Uashingtonit për t’u përfshirë në një luftë tjetër ballkanike. Por ajo këmbënguli. Pas kthimit nga një takim veçanërisht intensiv në Shtëpinë e Bardhë, ajo më tregoi se si kërkonte një vendim për Kosovën, duke i thënë një zyrtari të lartë të administratës: “Si ambasador i OKB-së më injoruan për Bosnjën, por këtë herë unë jam sekretare e shtetit dhe ne do të kemi një diskutim për përdorimin e forcës në Kosovë”.

Për të arritur mbështetjen e anëtarëve të tjerë evropianë të NATO-s, ajo u kujtoi atyre vitet e mosveprimit ndaj Bosnjës. Dhe më pas ajo propozoi një strategji që kërkonte që udhëheqja serbe të pajtohej me një plan paqeje ose të përballej me mundësinë e sulmeve ajrore. Duke e lidhur përdorimin e forcës me një plan diplomatik të rënë dakord me aleatët evropianë, si dhe me Rusinë, Beogradit iu dha çdo mundësi e arsyeshme. Kur serbët refuzuan, Perëndimi ishte i bashkuar në vendimin fatal për të kryer sulme ajrore të NATO-s.

Për t’i mbajtur vendet e NATO-s të bashkuara, Albright inicioi atë që tani është praktikë e zakonshme: Diplomacinë e thirrjeve të konferencës. Këto diskutime përfshinin konsultime të vërteta, jo vetëm që Uashingtoni të informonte aleatët e tij për planet e tij, por edhe të priste mbështetje të padiskutueshme. Nëpërmjet një telefonate të përditshme me homologët e saj nga Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia, ajo ndihmoi NATO-n të qëndronte e bashkuar, pavarësisht sulmeve të papritura ndaj civilëve dhe madje edhe një sulmi të gabuar ndaj ambasadës kineze.

Ishte gjatë një thirrje të tillë kur Joschka Fischeri i Gjermanisë i shtangu kolegët e tij duke e krahasuar atë që bënte Millosheviqi duke i ngarkuar civilët në trena me atë që nazistët kishin bërë gjatë Holokaustit. Ishte poasht Fischer, i cili pas kapitullimit të Beogradit pati dinjitetin dhe krenarinë të thotë: “Pra, ata e quanin ‘luftë e Madeleinit’ kur nuk shkon mirë, andaj ne duhet ta quajmë ‘lufta e Madeleines’ edhe tash kur fituam”.

Tani nëse shikohet prapa, del se populli i Kosovës ishte me fat se kërkesat e tyre për liri ndodhi në kohën kur bota perëndimore po funksiononte në të gjithë cilindrat e saj, dhe kur ishe në detyrë një sekretare e shtetit me njohuri dhe histori unike. Por më e rëndësishmja në gjithë këtë është, se ndërhyrja për fillimin e së cilës ndihmoi Albright ishte një sukses i pashoq. Forca përdor pas shterrjes së opsioneve të tjera. Ishte e legjitimuar nga mbështetja që vinte nga të gjitha anët. Ishte një plan i pasluftës që funksionoi për ta minimizuar jostabilitetin dhe që solli rend dhe ndryshime demokratike. Edhe shtetet evropiane morën një hise të barrës. Pas humbjes së Kosovës, Slobodan Milosheviqi u dërgua në gjykatën e krimeve të luftës për t’u përballë me drejtësinë, duke iu dhënë një mundësi serbëve t’i zhvillojnë institucionet demokratike. Dhe e fundit, por jo më e pak e rëndësishme, Kosova tani është e lirë, demokratike dhe e pavarur.

Sekretarja Albright më pati thënë disa herë në vitet e fundit, se kurdo që gjërat në botë dukeshin të zymta, krejt çka i mjaftonte për ta kënaqur shpirtin e vet ishte kur kosovarët i shfaqeshin në aeroport apo restaurant, në Evropë apo Amerikë, dhe e falënderonin për rolin e saj në parandalimin e gjenocidit dhe për faktin se ua dha kosovarëve lirinë e tyre.

***

James P. Rubin ishte Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Publike dhe zëdhënësi kryesor i Sekretares Madeleine Albright. Ai tani shërben në Paris si Këshilltar Diplomatik i Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.

Kolumne e botuar në Politico dhe e përkthyer nga Klankosova.tv.

Të ngjashme
OpEd • 28 Qershor 2024
OpEd • 27 Qershor 2024
OpEd • 25 Qershor 2024