Sport
“Ai mund të luajë kundër Rumanisë” – Çka shkruajnë gazetat rumune për transferimin e Krasniqit te Cluj?
Demokracia
16:04 | 10 Janar 2023

Share:

Ermal Krasniqi u zyrtarizua sot te klubi i tij më i ri, CFR Cluj, në Rumani, shkruan Demokracia.com.

Anësori malishevas i është bashkuar skuadrës rumune nga kampioni i Superligës së Kosovës, Ballkani.

Transferimit të 24-vjeçarit te CFR Cluj i kanë kushtuar vëmendje edhe mediat rumune të cilat e kanë vlerësuar lart yllin kosovar.

Mediumi “Fanatik” duke raportuar për zyrtarizimin e Krasniqit, e ka përmendur faktin se ai mund të luajë kundër Rumanisë në kualifikimet për Euro 2024.

“Futbollisti 24-vjeçar mund të jetë kundërshtari i Rumanisë në ndeshjet paraprake të EURO 2024, pasi debutoi, në nëntor 2022, në kombëtaren e Kosovës” – ka shkruar gazeta e madhe rumune ndër tjerash në artikull, transmeton Demokracia.com.

Edhe gazeta tjetër “news.ro” i ka bërë jehonë transferimit të yllit kosovar, duke përmendur faktin se Ballkani ishte kundërshtar i Clujit në Ligën e Konferencës.

“CFR Cluj transferoi mesfushorin Ermal Krasniqi nga FC Ballkani, ish-kundërshtar nga grupet e Ligës së Konferencës. Klubet CFR 1907 Cluj dhe FC Ballkani, ish-kundërshtar nga grupet e Ligës së Konferencës, kanë arritur marrëveshje për transferimin e mesfushorit kosovar Ermal Krasniqi te kampioni rumun” – thuhet ndër tjerash në artikullin e kësaj gazete.

Ermal Krasniqi te Cluji do ta bartë në fanellë numrin 7.

24-vjeçari më parë karrierë në Kosovë ka bërë edhe tek Llapi, Ferizaj, Feronikeli e Malisheva.

Krasniqi raportohet se e arriti transferimin te klubi rumun për shumën e 300 mijë eurove, derisa klubi suharekas do ta mbajë edhe një përqindje të kartonit të tij./Demokracia.com/

Të ngjashme