Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka rrëfyer përvoja të tij sa ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosjes.
Ahmeti ka thënë se kur ndodhte që Lëvizja Vetëvendosje shkaktonte situata të rënda ai ishte i zgjedhuri që do ta dërgonin në emisione televizive dhe shtoi se ka mbrojtur tema që s’i ka besuar aspak.
“Unë kam dalë dhe kam mbrojtur tema për LVV-në që aspak s’u besoj, por je grup, nënkryetar dhe kur ka vendosë shumica e kryesisë unë dal me mbrojt atë qëndrim”, tha Ahmeti, përcjell Demokracia.com.
Ai ka përmendur po ashtu edhe incidentin me ish-ambasadoren amerikane Tracey Ann Jacobson e cila ishte lënduar fizikisht nga protestuesit e Lëvizjes Vetëvendosjes.
“Kur kanë qenë periudhat më të vështira dhe kjo ka qenë prej gjërave që më kanë pengu më së shumti në Vetëvendosje është që kur ka qenë më së keqi më kanë qitë mua në televizor. Ndoshta me zbutë pak, t’u keshë…Shpendi t’u fol. Pra, kur ka ndodhë incidenti me ambasadoren amerikane kërkush nuk ka dashtë me dalë në TV. Jam dalë unë edhe e kam mbrojt qëndrime të pambrojtshme, po them. Unë kurrë s’kam deviju prej vijës. Ma shumë ka deviju Glauku e plot të tjerë”, ka thënë ai në T7.
Ahmeti ka treguar edhe një rast kur me rastin e vdekjes së ish-kryeministrit Bajram Rexhepi ishte diskutuar me orë të tëra në Vetëvendosje nëse duhet shkuar për homazhe apo jo.
“Është folë tre-katër orë edhe kur ka vdekë Bajram Rexhepi, a me shku në homazhe a jo. Po shkoj more qysh mos me shku”, ka thënë Ahmeti.