Lajme
Ahmeti: Rama e vërtetoi se UÇK-ja ishte forcë çlirimtare që kishte përkrahjen e botës perëndimore
Demokracia
22:09 | 12 Tetor 2022

Share:

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përgëzuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për fjalimin e sotëm në Këshillin e Evropës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë ditës së sotme ka mbajtur fjalim në Asamblenë e Këshillit të Evropës kundër Raportit të Dick Martyt.

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka kërkuar nga të gjithë që ta përkrahin thirrjen e kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Ahmeti ka thënë se, Rama edhe një herë ua dëshmoi evropianëve se, UÇK-ja ishte forcë çlirimtare.

Postimi i plotë i Ahmetit, pa ndërhyrje:

Mbështes tërësisht iniciativën e Kryeministrit Edi Rama në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës për ndryshimin e Rezolutës së padrejtë dhe të pasaktë 1782 të vitit 2011.

Rezoluta skandaloze u miratua si rezultat i propagandës ruso-serbe me lajme të rreme, të cilat nuk u vërtetuan asnjëherë dhe dëmtuan rëndë sakrificën tonë kombëtare për liri, pavarësi, demokraci dhe barazi.

Ftoj të gjithë kolegët, veprimtarët, patriotët, intelektualët, politikanët, gazetarët, opinionistët, shoqërinë civile dhe qytetarët t’i bashkangjiten thirrjeve për ndryshim të Rezolutës dhe përmirësimin e padrejtësisë ndaj kombit shqiptar.

UÇK-ja është forcë çlirimtare e cila kishte përkrahjen e botës perendimore, njejtë sikur sot populli liridashës Ukrainas.

Liria ka emër – UÇK!

Të ngjashme