Lajme
AGK: Shqetësuese tentim frikësimi ndaj redaktorit Alban Selimi
Demokracia
14:32 | 17 Mars 2023

Share:

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar të premten kundër vënies së zjarrit në shtëpinë e gazetarit hulumtues të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Alban Selimi, nga persona tashmë të panjohur për organet e rendit.

“AGK me shqetësim ka pranuar lajmin për tentim zjarrvënien e garazhit të redaktorit të transmetuesit publik, Alban Selimi. Selimi mbrëmjen e djeshme përmes rrjetit social Facebook, ka treguar se dikush ka tentuar ta frikësojë atë me këtë akt, por që nuk ia ka arritur qëllimit”, shkruan AGK në reagim.

“Dikush ia vuni flaken; me m’frikesu. S’ia arrijne qellimit!”, ka shkruar ai, citon AGKL.

“Për Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërcënime të tilla janë tërësisht të papranueshme dhe e cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe ndikojnë në punën e gazetarëve për të raportuar në një ambient të sigurt. Andaj, kërkojmë urgjentisht nga organet kompetente që të hetohen motivet e këtij sulmi, dhe autori të vihet para drejtësisë”, shkruan AKG në kumtesën për media.

Çdo sulm ndaj gazetarëve, sipas këtij institucioni, është një sulm ndaj interesit publik, demokracisë dhe të drejtave të gjithë qytetarëve.

Ndryshe, mbrëmjen e kaluar, persona të panjohur për organet e rendit, kanë tentuar t’ia vijnë flakën shtëpisë së gazetarit të RTK-së, Alban Selimi në Fushë-Kosovë. Intervenimi i shpejt i familjarëve dhe të afërmve ka ndikuar që zjarri të shuhet, ndërsa gazetarit Selimi i është dëmtuar vetëm garazha. Organet e rendit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po merren me zbulimin e rastit.

Të ngjashme