Lajme
AGK: Koha e fundit që Kurti të ndalojë gjuhën e urrejtjes ndaj mediave
Demokracia
22:36 | 08 Dhjetor 2024

Share:

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar ashpër gjuhën e kryeministrit Albin Kurti ndaj medieve, duke e cilësuar atë si të rrezikshme dhe nxitëse të urrejtjes, që kërcënon sigurinë e gazetarëve dhe pengon lirinë e medias.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar fuqishëm gjuhën e kryeministrit Albin Kurti kundër medieve.

AGK-ja ka vlerësuar gjuhën e tij si të rrezikshme që “rendit mediat e Kosovës përkrah Serbisë”.

“Është koha e fundit që zoti Kurti të ndalojë së përdoruri një gjuhë të tillë të nxitjes së urrejtjes ndaj medieve, që pastaj reflektohet dhe shumëfishohet nga shumë prej votuesve të tij”, thuhet në reagimin e AGK-së, pasi VV-ja postoi fjalimin e Kurtit i cili kritikon mediat e Kosovës pasi u nominua si kandidat për kryeministër nga partia e tij.

AGK-ja ka kërkuar që mediat të ushtrojnë punën e tyre për të mbajtur përgjegjëse qeverinë.

“Në respektim të lirisë së medies dhe lirisë së shprehjes, gazetarët dhe mediet në Kosovë duhet të lejohen që të ushtrojnë punën e tyre për të mbajtur përgjegjëse qeverinë, pa u penguar dhe intimiduar nga pushteti”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Në fjalimin e tij, Kurti ka thënë se “mediat për çdo sulm e agresion të Serbisë ndaj shtetit tonë, fajtorin çdoherë e gjetën tek qeveria jonë, por asnjëherë tek Serbia, nuk meritojnë vëmendjen tuaj”.

“Kurrë nuk kanë qenë më shumë media kaq shumë kundër qeverisë sesa në këtë katër vjeçarin tonë. Unë besoj se kjo është për dy arsye apo ndoshta shkaqe themelore. E para, sepse ne nuk i paguajmë. E dyta, sepse tash mediat nuk frikësohen më nga pushteti”, ka thënë Kurti.

Të ngjashme