Lajme
Agjenda e Forumit të Davosit| Pas injorimit amerikan, Kurti ia mësynë Zvicrës
Demokracia
12:28 | 23 Maj 2022

Share:

Pas 18 ditësh shkuarjeje dhe qëndrimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Albin Kurti është kthyer në Evropë.

Kurti gjatë vizitës së tij në SHBA nuk arriti të takohet me zyrtarë të lartë amerikanë. E përkundër që nuk arriti të futet në Shtëpinë e Bardhë, Kurti javën e tretë jashtë vendit do të qëndrojë në Zvicër.

Zyra e tij ka njoftuar se Kurti sot ka udhëtuar drejt Zvicrës për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror që mbahet në Davos/Klosters, përcjell Demokracia.com.

“Aty do të takohet me përfaqësues të kompanive të ndryshme dhe liderë politikë si dhe do të marrë pjesë në panelin “Dialogu i Diplomacisë për Ballkanin Perëndimor”. Gjatë qëndrimit në Zvicër, kryeministri Kurti gjithashtu do të zhvillojë takime me mërgatën tonë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Demokracia.com ka publikuar agjendën e plotë të Forumit Ekonomik Botëror.

Në agjendën që ka siguruar Demokracia.com vërehet se Kosovës në secilën pjesë ku është përmendur, i janë referuar me fusnotë.

Agjendën mund ta shihni në këtë link: Agjenda e plotë e Forumit të Davosit

Takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror po mbahet nga data 22 deri më 26 maj në Davos të Zvicrës.

Liderë të shumtë politikë e biznesmenë nga vende të ndryshme të botës po marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit, raporton Demokracia.com.

Kosova zakonisht përfaqësohet me fusnotë vetëm në forumet evropiane dhe nismat rajonale, pasi që shteti ynë nuk njihet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, ndërsa forumi ku po merr pjesë Kurti është i nivelit botëror.

Kryeministri Kurti në vazhdimësi është shprehur kritik për vendosjen e fusnotës ndaj emrit të Kosovës, duke e cilësuar këtë edhe “tradhti shtetërore”, raporton Demokracia.com.

“Marrëveshja në Bruksel me Serbinë për pikat kufitare që u degraduan në pika kaluese dhe për fusnotën që realisht nga kthen te negociatat e Vjenës të vitit 2006, paraqesin tradhti ndaj shtetit të Kosovës, që e keni shpallur të pavarur mu në këtë sallë para më shumë se katër vjetësh. Kjo tradhti ndaj shtetit të Kosovës prej Qeverisë dhe kryeministrit e ka trimëruar dhe inkurajuar Serbinë që të tregojë se Kosova s’ka as kufij e as Mitrovicë”, kishte deklaruar Kurti para se të bëhej kryeministër.

Forumi i Davosit është një nga eventet e pakta të rëndësishme ku kryeministri Kurti po merr pjesë deri më tash.

Takimi Vjetor i Forumit Ekonomik Botëror 2022 këtë vit mblidhet në momentin më të rëndësishëm gjeopolitik dhe gjeo-ekonomik të tri dekadave të fundit dhe në sfondin e një pandemie që ndodh një herë në shekull, raporton Demokracia.com.

Agjenda e Davosit do t’i mobilizojë krerët e shteteve dhe qeverive, liderët e biznesit, organizatat ndërkombëtare dhe shoqërinë civile, për të ndarë pikëpamjet e tyre, njohuritë dhe planet lidhur me çështjet më urgjente globale.

Forumi do të ofrojë gjithashtu një platformë për lidhje, duke i mundësuar publikut të shikojë dhe të ndërveprojë përmes seancave të transmetuara drejtpërdrejt, sondazheve në mediat sociale dhe lidhjeve virtuale./Demokracia.com/

Të ngjashme