Lajme
Agjencia Gjermane, qytetarëve: Kurseni gazin, kemi rezerva vetëm deri në fund të verës
Demokracia
19:24 | 12 Prill 2022

Share:

Agjencia gjermane e rrjetit u bëri thirrje qytetarëve që të kursejnë gazin, sepse në të kundërt ka kërcënime jo vetëm në sektorin industrial por edhe në atë privat si reduktime të gazit për familjet njëanëtarëshe, duke shtuar se furnizimet aktuale mund të jenë të mjaftueshme vetëm deri në fund të verës ose në fillim të vjeshtës, transmeton Demokracia.com.

“Unë nuk mendoj se furnizimet e pakufizuara të sektorit privat do të justifikohen në rast të një furnizimi emergjent me gaz,” i tha Die Zeit, Klaus Mueller, drejtor i Agjencisë Federale të Rrjetit.

Ai përmendi konkretisht “apartamentet e mëdha në të cilat jeton vetëm një person” si dhe përdorimin e saunave.

Kufizime të mundshme në sektorin privat

Pavarësisht udhëzimeve evropiane për mbrojtjen e veçantë për familjet private, spitalet dhe termocentralet e ngrohjes me gaz në rast mungesash, Mueller tha se kishte situata në të cilat nuk do të ishte e mundur të mbrohej sektori privat.

“Nëse lufta në Ukrainë përshkallëzohet dhe qeveria prezanton një situatë alarmante, atëherë do të vijë koha për kufizime në sektorin privat”, tha Mueller.

Ai tha se në rast emergjence duhet të përcaktohet se cilët sektorë industrialë duhet të mbrohen, dhe njëherit veçoi industrinë ushqimore dhe farmaceutike.

“Ne kemi gaz rezervë deri në fund të verës”

Mueller tha se situata emergjente me furnizimin me gaz mund të shmanget vetëm me uljen e konsumit, rritjen e importit të gazit nga burime të tjera dhe mbushjen e rezervuarëve.

“Nëse nuk ia dalim, aktualisht ka vetëm gaz në tanke deri në fund të verës ose në fillim të vjeshtës”, tha Mueller.

Agjencia Federale e Rrjetit me seli në Bon është një zyrë e lartë shtetërore, detyra e së cilës është të ruajë dhe inkurajojë të ashtuquajturat tregjet e rrjetit, duke përfshirë shpërndarjen e energjisë elektrike dhe gazit.

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Gjermania ka punuar shumë për të reduktuar varësinë e saj nga gazi rus. Terminali i parë gjerman i gazit të lëngshëm duhet të jetë gati deri në fund të vitit. /Demokracia.com/

Të ngjashme