Lajme
Agjencia e Emergjencave u kërkon komunave identifikimin e strehimorëve, të tilla ka vetëm Prishtina
Demokracia
12:55 | 13 Nëntor 2022

Share:

Institucionet e Kosovës që nga paslufta nuk kanë punuar në sigurimin dhe mirëmbajtjen e strehimoreve për qytetarët e saj në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore apo humane. Madje, strehimore publike ka vetëm kryeqyteti, por edhe ato nuk i plotësojnë nevojat për të gjithë banorët e Prishtinës. Kurse, qytetet e tjera kanë kryesisht bodrume të objektive kolektive të ndërtuara në kohën e ish-Jugosllavisë, të cilat edhe gjatë luftës së fundit ishte përdorur për strehim, por që tani gjendja e tyre nuk është e mirë.

Me qëllim të krijimit të hapësirave të nevojshme, propozohet që në ndërtimet e reja të përfshihet edhe aspekti i strehimoreve.

Njohësi i sigurisë, Drizan Shala thekson me krijimin e strehimoreve me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve në rast të fatkeqësive nuk është marrë askush.

Sipas Shalës, në rast të ndonjë fatkeqësie qytetarët e Kosovës janë vetëm në mëshirë të Zotit, pasi shteti nuk ka menduar në këtë aspekt.

“Në aspektin e strehimoreve në rast të fatkeqësive jo vetëm të bombave atomike dhe fatkeqësive të tjera, Kosova nuk është e përgatitur assesi në këtë aspekt që t’u ofrojnë ndihmë qytetarëve të Kosovës, sepse nëse merren për bazë ndërtimet e shpeshta, mbipopullimi i kryeqytetit dhe qyteteve të tjera, vërehet bukur shumë se urbanizmi nuk e ka paraparë fare këtë element, i cili është esencial për mbijetesë të qytetarëve të Kosovës. Në këtë aspekt as Agjencia e Emergjencave Civile nuk është se e ka trajtuar këtë element dhe nuk e ka ngritur zërin. Duhet sa më parë që është e mundur çështja e strehimoreve të jetësohet…Në rast të ndonjë fatkeqësie humane, teknike natyrore qytetarët e Kosovës janë në mëshirën e Zotit sepse shteti nuk ka menduar në këtë aspekt që nga përfundimi i luftës e tutje”, u shpreh Shala.

Konflikti në mes Ukrainës dhe Rusisë dhe kërcënimet bërthamore ruse kanë shtyrë disa komuna të Kosovës që të nisin me identifikimin e këtyre aseteve, të cilat i takojnë kohës së ish-Jugosllavisë.

Disa komuna kanë deklaruar për KosovaPress, se së fundmi kanë pranuar një kërkesë nga Agjencia për Menaxhim të Emergjencave për të identifikuar këto hapësira nëpër komuna, por përkundër përpjekjeve nga Agjencia nuk e kanë konfirmuar diçka të tillë.

E vetëm Prishtina ka strehimore nëntokësore. Ndërsa nëpër komunat tjera shpresa mbetet tek bodrumet e objekteve kolektive të cilat ishin ndërtuar gjatë viteve 70-80.

Kryeqyteti i Kosovës numëron gjithsej 5 strehimore nëntokësore, tri prej tyre janë të rinovuara dhe plotësojnë kushtet për strehimore, por dy të tjerat janë në gjendje të rëndë të mbushura me fekale dhe mbeturina.

Kështu ka treguar shefi i sektorit të emergjencës në drejtorinë e shërbimit publik, Fatmir Bilalli, i cili tregoi se këto strehimore ndodhen një në Ulpianë, tre në Breg të Diellit dhe një te hapësira që njihet si tek Lesna.

Bilalli deklaroi se tri strehimoret tashmë janë të shfrytëzuara, ajo në Ulpianë shfrytëzohet nga Hortikultura, ku edhe gjatë vizitës nga ekipi i KosovaPress-it, u panë pajisjet e kësaj kompanie.

Ndërsa, në dy të tjera në Breg të Diellit, u janë dhënë në shfrytëzim organizatave rinore.

“Komuna e Prishtinës i ka gjithsej 5 strehimore, ku prej tyre tri strehimore janë të rinovuara dhe i plotësojnë kushtet për strehimin e popullsisë në rast nevoje të një fatkeqësie natyrore apo fatkeqësive tjetër siç ndodhin luftërat. Tri prej tyre janë të rinovuara me ndriçim, ujësjellës, kanalizim, pastaj është edhe filtrimi i ajrit që bëhet përmes filtrave të tyre ajrosja e ato janë këtu ku jemi në Ulpianë e cila i plotëson kushtet për strehimin e qytetarëve dhe dy të tjera i kemi në Breg të Diellit të cilat janë të ngjashme për strehim të qytetarëve. Dy të tjera janë të parinovuara dhe nuk i plotësojnë kushtet i kemi planifikuar që në vitin e ardhshëm t’i renovojmë edhe ato dhe t’i bëjmë sikur këto të tjera që plotësojnë kushtet për strehim të qytetarëve…Tri prej tyre që janë të rinovuara njërën prej tyre është në shfrytëzim, komuna e Prishtinës ia ka dhënë në shfrytëzim Hortikulturës, ndërsa dy të tjera në Bregun e Diellit janë dy OJQ, por edhe pse janë të vendosura mund tu them lirisht që brenda dy orëve ose 3 orëve mund të zbrazen plotësisht”, theksoi ai.

Strehimoret nëntokësore në kryeqytet krahas ventilimit, ndriçimit e ujësjellësit, nuk ka pajisje të tjera, por Bilalli theksoi se për vitin e ardhshëm janë duke bërë plane për t’i pajisur.

“Janë të zbrazura por në rast nevoje, këto jemi shumë shpejt në gjendje t’i plotësojmë sepse nuk ka nevojë për lluks të tepruar, dyshek apo çka do që të ketë në rast rreziku ose vetëm të futen njëherë brenda popullsia, por për këtë çështje jemi duke menduar që në vitin e ardhshëm të bëjmë një plan dhe projekt dhe t’i pajisim me pajisje të tjera”, theksoi Bilalli.

Bilalli u shpreh se meqenëse këto strehimore nuk plotësojnë kapacitet e nevojshme, po shikojnë mundësitë që nga viti i ardhshëm t’i identifikojnë edhe bodrumet në kuadër të objekteve kolektive.

“Kohët e fundit kemi pranuar edhe një email nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave, ku kohët e fundit ku ata janë duke bërë një regjistrim në nivel të Kosovë….Kapaciteti nuk i plotëson kushtet shumë pak numri duke llogaritur numrin e popullsisë në komunën e Prishtinë… Ne kemi planifikuar dhe do të shikojmë që në vitet e ardhshme t’i shikojmë edhe objektet kolektive të cilat janë ndërtuar, sidomos ato të paraluftës që i kanë bodrumet e tyre, një pjesë e tyre janë të mbushura me mbeturina dhe një pjesë janë të uzurpuara në bashkëpunim me qytetarët që të na ndihmojnë dhe t’i rinovojmë edhe ato për nevojat e tyre objekteve që banojnë ato banorë“, u shpreh Bilalli.

Për dallim nga kryeqyteti i Kosovës, i cili ka këso lloj strehimoresh të veçanta për rast të fatkeqësive natyrore por edhe luftërave, në Gjakovë nuk posedojnë hapësira të tilla të veçanta.

Udhëheqësja e sektorit të urbanizmit në Gjakovës, Elida Bejtullahu tregon se strehimore kanë vetëm në kuadër të ndërtimeve banesore, të cilat ishin shfrytëzuar për strehim edhe gjatë luftës së fundit në vend.

Ajo thotë se pas një thirrje nga Agjencia për Menaxhim të Emergjencave, kanë nisur evidentimin dhe rivlerësimin e gjendjes së këtyre strehimoreve.

“Jemi në proces e sipër të evidentimit dhe rivlerësimit të gjendjes së strehimoreve, por në komunën e Gjakovës strehimore të veçantë nuk kemi, faktikisht strehimoret janë në kuadër të objekteve shumë banesore që janë ndërtuar para luftës, ku ligjërisht ka qenë obligative që bodrumet e ndërtesave, kryesisht janë të viteve 80’ta jo edhe ato krejt të hershme, ka qenë obligative që bodrumet me pas shumë qëllime dhe ndër to ka qenë kryesore ka qenë funksionimi si strehimore…Ne kemi n ë formim e sipër të një grupi punues jo vetëm për evidentua si numër, për ta bërë një inspektim të gjendjes së tyre, që çfarë rezultati që del nga inspektimet sepse me siguri ato që 23 vite nuk janë mirëmbajtur”, tha ajo.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë, Hisen Berisha thotë se me gjendjen e strehimoreve nëntokësore nuk është marrë asnjë qeverisje dhe as kjo aktuale, madje si çështje nuk është paraparë as në Strategjinë e Sigurisë Nacionale.

Sipas tij, strehimoret aktuale të cilat janë ndërtuar në kohën e ish-Jugosllavisë nuk janë në gjendje të mirë dhe nevojitet standardizimi i tyre.

Deputeti i PDK-së po ashtu vlerëson se ndërtimi i hapësirave mbrojtëse në rast të fatkeqësive, duhet të parashihen gjatë procesit të ndërtimeve të reja.

“Mirëpo problemi është se ato nuk janë të mirëmbajtura dhe koha kur janë ndërtuar ato kanë qenë kapacitete të limituara të pranisë së qytetarëve se sa qytetarë mund të zënë brenda. Nuk duhet shpresuar shumë në to, deri më sot këto nuk kanë qenë aspekt temë trajtimi as objektiv i qeverive tona dhe as institucione që duhet të merren me çështjet e sigurisë dhe planin e veprimit të tyre për këto tema. Fatkeqësisht edhe në dokumentet e sigurisë, përfshirë edhe dokumentin më të lartë që ishte tash në Kuvend Strategjinë e Sigurisë Nacionale, kjo temë nuk trajtohet fare në këtë nivel sepse ne nuk merremi me çështjet që lidhen drejtpërdrejtë me qytetarin fatkeqësisht…Strehimoet duhet të trajtohen, duhet të sanohen dhe standardizohen sepse tash ka standarde të reja nuk ka më armët e kohës që janë krijuar në kohën e komunizmit duhet të mendohet edhe në standardet e ndërtimit, kur jepet leja e ndërtimit në aspektin teknik futen edhe këto elemente, por jo vetëm të strehimoreve për siguri në raste të tilla të armëve kimike…Sa i përket këtyre që janë lokale nëpër qytete qeveritë duhet të përkushtohen në shikimin e situatës së tyre, sanimin e kësaj situate dhe patjetër që duhet të mendohet edhe për trajtimin e formave të tjera qoftë në rast të fatkeqësisë natyrore apo humane” theksoi ai.

Komuna e Prishtinës në kohën e ish-Jugosllavisë kishte zhvillime të mëdha infrastrukturore. Dy prej strehimoreve më të mëdha në Prishtinë, u ndërtuan në vitin 1984.

Të ngjashme