Sport
Agim Ademi publikon letrën nga UEFA: Nuk kishte asnjë vendim dhe ndalesë ndaj meje
Demokracia
18:50 | 22 Mars 2022

Share:

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka publikuar në llogarinë e tij një letër sqaruese të dërguar nga UEFA në lidhje me raportimet e ditëve të fundit se shtëpia e futbollit evropian e kishte përjashtuar atë deri në fund të vitit 2022.

Në postimin e Ademit thuhet se letra sqaruese e UEFA-së është pranuar sot nga FFK-ja dhe tregon se ndaj tij nuk kishte asnjë vendim dhe as ndalesë nga ndonjë organ i UEFA-së, raporton Demokracia.com.

Ademi i ka quajtur shantazhe raportimet në lidhje me çështjen e përjashtimit të tij dhe ka shtuar se ai dhe FFK-ja, sipas tij, nuk do të ndalen në avancimin e futbollit të Kosovës.

“Ne i referohemi letrës tuaj duke kërkuar sqarim në lidhje me vendimin e marrë nga Organi i Etikës dhe Disiplinës së Kontrollit të UEFA-s më 20 gusht 2020 në çështjen 33699 që përfshin z. Agim Ademi”.

“Në këtë aspekt, ju informojmë se vendimi i përmendur i CEDB-së nuk ka efekt juridik pasi fillimisht është pezulluar dhe më pas është anuluar me një vendim të mëtejshëm të CEDB-së, në njoftimin e z. Ademi dhe Federatës së Futbollit të Kosovës më 3 shtator 2020”, thuhet ndër tjerash në letrën e UEFA-së.

Postimi i Agim Ademit dhe letra e UEFA-së:

Letër nga UEFA në lidhje me sqarimin paraprak

Sot FFK ka pranuar nga UEFA letrën sqaruese, në të cilën letër UEFA konfirmon se ndaj meje nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë vendim ndalese.

Siç mund të shihni nga kjo letër, ndaj meje nuk ka asnjë vendim dhe as ndalesë nga ndonjë organ i UEFA-së, ndërsa vendimi i cili ka qarkulluar në media, nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë efekt juridik pasi që ishte anuluar nga vet organi përkatës i UEFA-s, sepse Gjykata Supreme e Kosovës me anulimin e aktgjykimeve respektivisht kthimit të çështjes në rivendosje, kishte gjetur se përfundimet e instancave tjera gjyqësore nuk ishin të bazuara në prova dhe fakte, respektivisht kishte nxjerr konstatime rreth pafajësisë sime në këtë çështje.

Shantazhet dhe të pavërtetat e individëve që kanë përfituar nga FFK-ja pa meritë, nuk mund të ndalin FFK-në dhe as mua në avancimin e futbollit të Kosovës dhe punët e mira të FFK-së që po bëhen në partneritet me UEFA-n, FIFA-n dhe institucionet qeveritare të Kosovës.

Ju faleminderit edhe njëherë të gjithë atyre që nuk kanë rënë pre e manipulimeve, por kanë besuar në punën time dhe të Federatës.

Me respekt, A.A /Demokracia.com/

Të ngjashme