Sport
Agim Ademi flet para ndeshjeve të Kosovës: Selmani është i gatshëm, në aspektin organizativ thuajse jemi të kompletuar
Demokracia
19:01 | 03 Mars 2021

Share:

Pas një pauze të gjatë, Kombëtarja e Kosovës do të rikthehet në fushën e gjelbër këtë muaj me tri ndeshje tejet interesante.

Fillimisht, “Dardanët” do ta zhvillojnë një ndeshje miqësore më 24 mars ndaj Lituanisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, raporton Demokracia.com.

Ndërkaq, më 28 mars, Kosova e pret Suedinë poashtu në kryeqytet për ta nisur ciklin eliminator të Kupës së Botës “Katar 2022”.

Tri ditë më vonë, për herë të parë, Kosova udhëton drejt gadishullit iberik për t’u përballur me Spanjën në Sevilla, poashtu për eliminatoret e botërorit.

Kur kanë mbetur edhe pak javë deri te fillimi i ndeshjeve të marsit, Demokracia.com e ka kontaktuar të parin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Ademi ka folur për aspektin organizativ për këto ndeshje, prurjet eventuale, çështjen e Astrit Selmanit si dhe për pritjet e tij nga ndeshjet me Lituaninë, Suedinë dhe Spanjën.

Ademi: Jemi plotësisht të gatshëm

I pari i FFK-së, Agim Ademi ka thënë se në aspektin organizativ, punët po ecin mirë, derisa tregon se ka edhe disa probleme teknike në stadium.

“Në aspektin organizativ, jemi thuajse të gatshëm. Ekipet menaxhuese të ndeshjeve janë në kontakt me UEFA-në dhe i dinë punët e tyre”, ka thënë Agim Ademi duke shtuar:

“Janë disa probleme teknike në stadium të cilat jemi duke i përmirësuar dhe duke i rregulluar ato që janë të nevojshme për ndeshje zyrtare ndërkombëtare”.

“Selmani i gatshëm për Kosovën, nuk e di nëse Challandes e ka ftuar”

Futbollisti që po shkëlqen në Suedi te Hammarby, Astrit Selmani mund të jetë risia e Kosovës për ndeshjet e marsit.

Vetë futbollisti në një gazetë suedeze sot e pranoi se e ka marrë pasaportën e Kosovës dhe se është pranë t’i bashkohet skuadrës së Challandesit.

Ndërkaq, kryetari i FFK-së, Agim Ademi ka deklaruar se ende nuk e di nëse Challandes e ka ftuar atë.

“Astrit Selmani është i gatshëm të luajë për Kosovën, por kjo i takon përzgjedhësit dhe nuk e dimë nëse Challandes e ka ftuar atë. Ju tashmë e dini se listën e futbollistëve e bën vetëm trajneri me skuadrën e tij dhe ne nuk përzihemi në çështje që i takojnë ekskluzivisht atij”, tregon Ademi.

Ademi thotë se ndeshjet e marsit janë “jashtëzakonisht të vështira”

Në muajin mars, Kosova i zhvillon tri ndeshje – miqësore me Lituaninë dhe dy eliminatore me Suedinë dhe Spanjën.

Agim Ademi, kryetari i FFK-së për Demokracia.com thotë se nëse skuadra arrin rezultate pozitive në këto ndeshje, atëherë do të jetë “pretendente” për ta kaluar grupin.

“Nuk jam pesimist, por jam i vetëdijshëm se këto janë dy ndeshje jashtëzakonisht të vështira, madje më të vështirat e grupit dhe nëse ne marrim rezultate pozitive në këto ndeshje – hiç ndeshjen miqësore – atëherë jemi pretendent për pozitat e para të grupit. Besoj në cilësinë e djelmoshave tanë dhe në punën e shtabit teknik. Uroj të mos kenë lëndime dhe të jenë të disponuar në këto ndeshje për ta dhënë maksimumin e tyre”, përfundoi të mërkurën Agim Ademi. /Demokracia.com

Të ngjashme