Lajme
“Afera Zdravo” | Presidentja Osmani mirëpriti futjen e Radojçiqit në Listën e Zezë të ShBA-së, tani hesht për koordinimin e LVV-së me të
Demokracia
10:37 | 16 Korrik 2023

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vazhdon të mos e “trazojë” kryeministrin Albin Kurti dhe pushtetin e dalë nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Heshtja e saj dhe fshehja nga shfaqjet në publik, në momente të caktuara dhe delikate për pushtetin kur duhet domosdoshmërisht të mbajë qëndrim, është bërë e zakonshme, shkruan Demokracia.com.

Presidentes Osmani duket se zyra e parë shtetërore po i shërben vetëm për t’i përfituar privilegjet që vijnë nga posti i presidentit, por jo edhe për t’u sfiduar.

Ajo nuk ka thënë asnjë fjalë, as pas një jave, që nga dita kur doli në publik audioincizimi ku argumentohet koordinimi në prapaskenë dhe në emër të kryeministrit Albin Kurti, i shefes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lila, me kriminelin e veriut, Milan Radojçiq dhe Listën Serbe.

Koordinimi dhe kontaktet me një person, i futur në Listën e Zezë të ShBA-së për veprimtari kriminale dhe për të cilin Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar urdhërarrest, nuk i kanë bërë përshtypje presidentes Osmani. Gjatë javës që po e lëmë pas, ajo nuk ka pasur asnjë reagim, madje as për të kërkuar që politika të mos vështirësojë punën e institucioneve të pavarura të sigurisë dhe drejtësisë.

Por, çfarë shkruante presidentja Osmani në ditën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës publikuan emrat e personave që ishin futur në Listën e Zezë, në mesin e të cilëve edhe Milan Radojçiq dhe Zvonko Veselinoviq?

“I mirëpres sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Veselinoviqit dhe grupit të tij të krimit të organizuar në veri të Kosovës”, shkruante Osmani.

Por, përveç kësaj, ajo garantonte se grupet e tilla do të luftohen nga institucionet kosovare.

“Institucionet janë plotësisht të përkushtuara ndaj sundimit të ligjit dhe do të bashkëpunojnë me 🇺🇸 për të siguruar që rajoni ynë të mos bëhet një parajsë e sigurt për grupe të tilla kriminale”, shkruante Osmani në Twitter, më 8 dhjetor 2021.

Pas publikimit të audioincizimeve, presidentja Osmani më nuk e ka përsëritur të paktën as përkushtimin e njëjtë. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 30 Qershor 2024