Lajme
Afera për vajin, grurin dhe sheqerin – deputetët e pozitës dhe opozitës përplasën ashpër mes veti
Demokracia
23:00 | 20 Gusht 2023

Share:

Arrestimi i dy zyrtarëve të Mistrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica e Hafiz Gara, si edhe pronari i restorantit “Bukë e Zemër”, Ridvan Muharremi, të dyshuar për aferat korruptive të e vajit dhe grurit për rezervat shtetërore, ka shkaktuar debate e reagime të mëdha në opinionin publik. Arrestimet në MINT u pasuan me reagime të mëdha nga krerët pushtetit dhe eksponentët e tij, në përpjekje për të përçudnuar punën e prokurorëve, mediave dhe kundërshtarëve politikë. Këta të fundit nuk ka heshtur ndaj akuzave që vinin kryesisht nga anëtarët e LVV-së, duke u përplasur ashpër.

Një përleshje mes deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajramit dhe deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka filluar kur ky fundit ka përmendur rastin e vjedhjes së 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Ku menjëherë ka reaguar ish-ministrja, Bajrami ku ka thënë se Rexhaj nuk mund ta mbulojë korrupsionin e qeverisë duke përmendur 2.1 milionëshin.

Abdixhiku / Abdixhiku i kundërpërgjigjet Kurtit: Po mbronë kriminelët në pranga e krimin rreth tij, a është ky ndryshimi i njëmendtë?
“Po ja rikujtoj atij dhe atyre që ende i besojnë propagandës së LVV-së, se hajnat e 2.1 milionë eurove i kam denoncu e para dhe sot ata janë në burg.” – ka thënë ajo.

Më tej, ajo ka bërë të ditur se drejtori i Thesarit në kohën kur ishin vjedhur 2.1 milionë euro është votuar nga Vetëvendosja për Guvernator në BQK.

“2.1 milionshin nuk mund ta përdorni më për të më sulmuar sepse me votat e juaj ish drejtori i Thesarit sot është guvernator i BQK-së.” – ka shkruar ajo.

Përplasja tjetër erdhi në mes të deputetit të pushtetit, Armend Muja dhe deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu.

Muja ka reaguar pas publikimit të dosjes së Prokurorisë, në lidhje me aferën për rezerva shtetërore, ku ka luajtur rolin e gjykatësit, pasi ka thënë se sasia e munguar nuk është në vlerë 600 mijë euro, por 300 mijë.

“Është dëmtuar buxheti për 601,000 euro – ose po mungon një shpjegim shtesë ose Prokurori nuk e din matematikën elementare. Do të duhej të ishte 301,384 euro jo 601,000 euro. Në dosje thuhet se 276,000 euro vaj/sheqer ende nuk ka ardhur dhe mungojnë 52.5 tonë ( 25,383 mijë euro).” – ka shkruar Muja.

Më pas ka reaguar Haxhiu, duke i thënë se “për “matematikën e hajnisë”, Armend Muja është ekspert!”.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook ka thënë se këta që po sulmojnë prokurorin dhe po e mbrojnë vjedhjen e rezervave shtetërore nuk e kanë për “Ridin” por po frikësohet për veti.

“Për “matematikën e hajnisë”, Armend Muja është ekspert! Krejt këta që po e sulmojnë prokurorin dhe po e mbrojnë vjedhjen e rezervave shtetërore, nuk e kanë për Ridin, por po frikësohen për veti. Me nënshkrimin dhe aminin e Albin Kurtit janë vjedhur rezervat shtetërore në koordinim me Rozeta Hajdarin dhe të arrestuarit. Askush mbi ligjin, as Rozeta Hajdari e as Albin Kurti.” – ka shkruar ai.

Gjatë ditës së diele, përplasje për aferën e rezervave shtetërore, pat edhe mes deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj dhe Mefail Bajqinovcit, nga VV-ja.

Kadrijaj përmes një postimi në Facebook ka shfaqur dyshime që kryeministri Albin Kurti u shërben “agjendave armiqësore”, teksa ka kërkuar nga SHBA-ja që të hetojë Kurtin.

“Ka kohë që AAK ka ngritur dyshimin rreth mundësisë që Kurti i shërben agjendave armiqësore. Thirrje publike për aleatët tanë – ShBA-të, që të inicojnë një hetim të pavarur rreth këtyre temave!” – ka shkruar ajo.

Më pas Bajqinovci në një prononcim për Gazetën Blic, ka thënë se kjo deklaratë është “hajgare”.

“Këta që mik shtëpie e quanin Radojciqin e tash që Kurti ua shpalli terroriste organizatat qe i kontrollonte ai e nuk kanë më vend në Republikën e Kosovës na paskan ardhë me nje ide të tillë. Kjo është hajgare për besë.” – tha Bajqinovci.

Reagim të menjëhershëm dha deputetja e AAK-së, duke e quajtur Bajqinovcin “papagall të qeverisë”, që sipas saj askush se pyet për send.

‘“Zdravo Bajqinovci’ paska folë! I gërditshëm dukesh sa herë që flet. Ti lidhje s’ki me send, je veç papagall i qeverisë që kush sen nuk të pyet.’ Zdravo Qeveria’ ka me u përgjigj herët a vonë për gjitha dyshimet e bazuara!” – ka shkruar Kadrijaj në Facebook.

Të ngjashme