Një skandal i madh punësimesh ka ndodhur në njërën prej ndërmarrjeve më të mëdha publike në vend, në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Mbi 120 persona, shumica e të cilëve po llogariten si aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe rreth 40 të tjerë familjarë të menaxhmentit të KEK-ut po figurojnë në listën e të punësuarve të rinj.
Lidhur me këtë aferë punësimi, Demokracia.com ka folur me përfaqësuesit e sindikatës së KEK-ut.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka thënë se kjo është për keqardhje.
Sipas tij, sindikata nuk ka qenë fare e përfshirë në këtë konkurs.
“Ne nuk kemi qenë në ketë proces, përveç se kemi parë njerëz që kanë publikuar rezultate të testeve me shkrim që kanë pasur 100 pikë, por më pas kur janë mbledhur edhe pikët e intervistës nuk është pranuar që është për keqardhje”, ka thënë Llumnica për Demokracia.com.
Llumnica duke e komentuar punësimin e anëtarëve të LVV-së dhe familjarëve të drejtuesve të KEK-ut, thotë se nëse argumentohen parregullsitë, ky konkurs duhet të anulohet.
“Ne kemi vërejtur si gjithmonë që ka nepotizëm, edhe sot nuk ka qenë diçka e jashtëzakonshme, përveçse vazhdimësi e së kaluarës, nepotizëm dje, nepotizëm sot”, ka thënë ai për Demokracia.com.
Llumnica ka thënë se nuk e dinë se çfarë saktë ka ndodhur, pasi që nuk kanë qenë të përfshirë.
Ndryshe, sipas kësaj sindikate, në KEK janë të punësuar rreth 3600 punëtorë.
Sipas informacioneve që ka kjo sindikatë, në konkursin e fundit janë punësuar 128 persona.
Pas publikimit të këtij skandali, hetime pritet të nisë edhe Prokuroria Speciale e Kosovës. /Demokracia.com/
Prokuroria Speciale tregon çfarë do të ndodh me aferën e punësimeve në KEK
Reagime të shumta kanë ardhur edhe nga partitë politike opozitare. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se kjo parti do të dorëzojë kallëzim penal.