Lajme
Afera e dyshimtë mes Damkës dhe Gërvallës: MZHR-ja i reagon PDK-së
Demokracia
18:48 | 01 Qershor 2022

Share:

Ministria e Zhvillimit Rajonal ka reaguar ndaj akuzave të Partisë Demokratike të Kosovës se ministri Fikrim Damka është i përfshirë në keqpërdorimin të buxhetit të shtetit.

PDK sot ka kërkuar hetime mbi një memorandum bashkëpunimi në mes të MZHR-së dhe Caritas-it zviceran që konsiderohet një aferë të dyshimtë dhe e kundërligjshme, ku sipas kësaj partie opozitare janë keqpërdorur 1 milion e 40 mijë euro të taksapaguesve.

Në reagim, Ministria e Zhvillimit Rajonal thotë se akuzat e PDK-së nuk qëndrojnë pasi përkrahja e rinisë në shkolla, rintegrimi i të riatdhesuarve dhe bashkëpunimi me mërgatën kanë qenë qëllimet kryesore të këtij memorandumi të bashkëpunimit dhe si të tilla nuk janë keqpërdorime, por mundësi për përkrahje të qytetarëve.

“Ministria e Zhvillimit Rajonal ka një Memorandum të bashkëpunimit me Caritasin zviceran, organizatë ndërkombëtare e regjistruar në Kosovë, Caritasi Zviceran është anëtar i rrjetit ndërkombëtar të Caritas. Ai përbëhet nga 165 organizata në mbarë botën, përveç kësaj, organizatat e Caritas-it evropian janë bashkuar në Bruksel për të formuar Caritas Europe.

Si rezultat i Memorandumit të bashkëpunimit në mes MZHR-së dhe Caritasit Zviceran derivojnë dy projekte MARDI dhe YENI ku Caritasi zviceran mbulon shumën më të madhe të financimit në vlerë prej 1,560,000 euro, e cila vjen nga Zvicra dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal bashkëfinancon këto dy projekte në vlerë prej 347,000 euro për vitet 2022-24, thuhet në reagim.

Për më tepër, MZHR thotë se ka ndjekur të gjitha procedurat ligjore për të bashkëfinancuar këto projekte dhe është konsultuar paraprakisht me të gjithë akterat relevantë për të marrë pëlqimet e nevojshme.

Caritas-i zviceran zbaton projekte në Kosovë për më shumë se 20 vjet. Në periudhën strategjike 2021–2025, Caritas zviceran planifikon të zbatojë projekte bazuar në nevojat e vendit dhe popullatës së tij si dhe në përvojën e gjatë të Caritas-it të Zvicrës në Kosovë.

Fokusi i punës së saj është orientuar në temat e gjenerimit të të ardhurave (veçanërisht siguria ushqimore/bujqësia, arsimi dhe trajnimi profesional, migrimi, riintegrimi i personave të riatdhesuar, dhe migrimi për motive punësimi).

Si rezultat i këtij bashkëpunimi Caritasi zviceran ka zgjeruar bashkëpunimin edhe me një numër të konsideruar të komunave pa dallime dhe ngjyra politike, përfundon reagimi.

Të ngjashme