Lajme
Afër 600 kërkesa për azil, po bëhet mirë për sirianë, algjerianë e marokenë në Kosovë
Demokracia
19:08 | 21 Prill 2022

Share:

Derisa një numër i madh i të rinjve të Kosovës dëshirojnë të ikin nga vendi dhe destinacion i kanë vendet perëndimore, afër 600 të huaj nga vende të ndryshme të botës kanë aplikuar në vitin e kaluar për të fituar azilin në Kosovë.

Rreth 600 persona kanë aplikuar në vitin 2021 për të fituar azil në Kosovë, shtet ku vetëm në katër muajt e fundit rreth 11% e popullsisë ka kërkuar të shkojë në Gjermani.

Që nga fillimi i dhjetorit e deri në fund të marsit, ambasada gjermane në Prishtinë ka pranuar 199 mijë e 783 kërkesa për viza, raporton Demokracia.com.

“Kosova është vendi më i mirë për bërje të biznesit. Investimi në Kosovë do të jetë sukses për ju. Kemi krijuar 25 mijë vende të reja. 10.35 është rritja ekonomike. Vlera e eksporteve ka arritur 2.7 miliardë. Vlera e mallrave 62 për qind. Investimet kapitale janë rritur 10 për qind më shumë. Përkushtimi për sundim të ligjit, po thyejmë rekorde një pas një”, ka thënë sot i ekzaltuar Kurti.

Sipas një raporti të Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë periudhës janar-dhjetor 2021 janë evidentuar 578 aplikues, nga të cilët 535 meshkuj dhe 43 femra, shkruan Demokracia.com.

Numri më i madh i azilkërkuesve në Kosovë është nga Siria, ku gjithsej janë 179, prej tyre 165 meshkuj dhe 14 femra.

Nga Maroko janë 147 azilkërkues, prej tyre 141 meshkuj dhe 6 femra.

Ndërsa, nga Algjeria janë 66 azilkërkues, që të gjitha janë meshkuj.

Po ashtu, azilkërkues ka edhe nga Libia 37, Afganistani 34 dhe të tjera 115, raporton Demokracia.com.

Më parë, numri i azilkërkuesve nuk ishte edhe shumë i madh dhe zakonisht Kosovën e shfrytëzonin si një vend transit dhe jo për destinacion.

Po ashtu, sipas raporti të MPB-së, gjatë periudhës janar-dhjetor, janë marrë 4281 vendime për leje qëndrim të përkohshëm.

Për herë të parë u është dhënë qëndrim i përkohshëm 1414 personave, ndërsa është marrë vendim për vazhdimin e lejeve për 2867 persona.

Nga numri i vendimeve pozitive për leje qëndrim të përkohshëm, 1792 janë meshkuj dhe 2489 janë femra.

Leje qëndrim të përkohshëm, gjatë vitit 2021, kanë marrë 1203 shqiptarë, 936 serbë, 692 turq, 461 maqedonas, 167 amerikanë dhe 822 të tjerë.

Ndërsa, për qëndrim të përhershëm, për periudhën janar-dhjetor janë marrë 230 vendime.

Për herë të parë u është dhënë qëndrim i përhershëm 48 personave, ndërsa është marrë vendim për vazhdimin e lejeve për 182 persona.

Nga numri i vendimeve pozitive për leje qëndrim të përhershëm, 141 janë meshkuj dhe 89 femra.

Leje qëndrim të përhershëm, gjatë vitit 2021, kanë marrë 71 serbë, 31 shqiptarë, 30 maqedonas, 30 turq, 21 gjermanë dhe 44 të tjerë. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme