Sot bëhen 23 vjet nga masakra e Serbisë mbi 45 civilë shqiptarë të Reçakut. Kjo masakër ndikoi në sensibilizimin e faktorit ndërkombëtar dhe më pas ndërhyrjen e NATO-s.
Mirëpo, për këtë masakër nuk ka urdhërdhënës serbë të dënuar e as të akuzuar, edhe pse kanë kaluar 23 vjet, shkruan Demokracia.com.
Gjatë luftës në Kosovë u vranë 13,535 persona. Ky numër përfshin 10,812 shqiptarë, 2,197 serbë dhe 526 anëtarë të bashkësive të tjera etnike. [Burimi: Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë]
Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY/Gjykata e Hagës) paditi gjithsej 8 serbë për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte në Kosovë, konkretisht Sllobodan Millosheviqin, Milan Milutinoviqin, Nikolla Shainoviqin, Dragoljub Ojdaniqin, Nebojsha Pavkoviqin, Vladimir Lazareviqin, Sreten Lukiqin dhe Vlastimir Gjorgjeviqin.
Sllobodan Millosheviq vdiq në Hagë, ish-presidenti i Serbisë Milutinoviq u shpall i pafajshëm, por Gjykata e Hagës i shpalli fajtor 6 individët e tjerë dhe i dënoi ata me 127 vjet burg, e cila u reduktua në 107 vjet përmes procesit të apelimit. Sot, afërsisht 13 vjet më vonë, që nga lëshimi i vendimeve të para nga Gjykata e Hagës në 2009, nga 6 të dënuarit për krimet e luftës të kryera në Kosovë, vetëm tre kriminelë lufte janë në burg për vrasjen e 10,812 shqiptarëve. /Demokracia.com/