Lajme
Afati i vaksinave AstraZeneca, përplasje e ashpër mes Haxhiut e Vitisë
Demokracia
11:22 | 07 Korrik 2021

Share:

Një përplasje e ashpër ka ndodhur sot në seancën plenare, mes ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu rreth afatit të vaksinave të AstraZenecas. 

Haxhiu gjatë seancës ka thënë sot se Qeveria Kurti II ka dështuar në vaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19 dhe për sigurimin e insulinave. Duke shtuar se dështimi për vaksinim rrezikon jetën e qytetarëve.

“Ndonëse punëtorët shëndetësorë dhe stafi mbështetës, policia dhe inspektorati kryen me ndershmëri dhe përgjegjësi punën e tyre, qeveria nuk po tregohet e përgjegjshme dhe e kujdesshme me ta. Ua ka ndal shtesat në pagë të cilat ua garanton Ligji për luftimin e pandemisë Covid-19. Për 16 muaj pandemi, qeveria ua ka paguar shtesat vetëm për dhjetë muaj, ndërsa ua ka borxh edhe 6 muaj pagesat shtesë për punëtorët shëndetësor, për stafin mbështetës, për policinë dhe inspektoratin… Dështim tjetër i kësaj qeverie është mungesa e insulinës. Tani e disa muaj po përballen qytetarët me mungesë të insulinës dhe tek sot komuna e Prishtinës e vetme ka siguruar insulinën. Tani më nuk ka as dilemë edhe laiku më I vogël I shëndetësisë e ka kuptuar se kjo qeveri ka dështuar në procesin e vaksinimit, Kosova është vendi I fundit në rajon dhe në Evropë në procesin e vaksinimit. Blerja e vonuar e vaksinave dhe dështimi i planit të vaksinimit nga kjo qeveri është rrezikim i shëndetit dhe humbje e jetëve për qytetarët”, theksoi Haxhiu.

Ai po ashtu ka kërkuar sqarime nga Vitia se përse e kishte pranuar donacionin nga Norvegjia, kur ishte në dijeni se afati i këtyre vaksinave ishte deri në qershor dhe korrik.

Pas kësaj, është kundërpërgjigjur ministri i Shëndetësie, Arben Vitia, duke thënë se çdo thirrje e qytetarëve për hezitimin është abuzim me detyrën që e kanë.

Vitia po ashtu tha se nga të gjitha vaksinat që janë në Kosovë, s’ka pasur asnjëherë efekte anësore të askush.

“Duhet të kemi një qëndrim të bashkuar, për të ruajtur shëndetin publik dhe ekonomisë së vendit. Të gjitha vaksinat janë të sigurta. Vaksinohuni sepse është në të mirë të të gjithëve”, u shpreh Vitia. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme