IATA është standardi më i lartë i të udhëtuarit me avion sipas standardeve globale.
Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror, IATA i ka vendosur kodin për aeroportet dhe shitjen e biletave aeroportit të Vlorës, VLO.
Lajmi u bë me dije nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, të dielën e 27 prillit.
“Shoqata Ndërkombëtare e Transportuesit Ajror ka vlerësuar aplikimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe i ka vendosur kodin për aeroportet dhe shitjen e biletave: VLO”, shkruan Balluku.
IATA është standardi më i lartë i të udhëtuarit me avion sipas standardeve globale, të sigurt, me kompanitë ajrore më të fuqishme, me çmime të favorshme, më të lira se në faqet e tyre zyrtare dhe për këtë duhet akreditimi i agjencisë së udhëtimit nga IATA.
Kjo u lejon agjencive të udhëtimit të shesin bileta në emër të kompanive ndërkombëtare ajrore lider në treg.
Aktualisht ka më shumë se 54 mijë agjentë udhëtimi në botë të akredituar nga IATA që operojnë në 217 vende dhe territore.
Ndërkohë, fluturimet e para do të nisin nga maji, njoftoi Balluku.
“Në ditët e para të majit, Air Albania do bëjë fluturimin inaugurues, duke prekur pistën më të madhe në Ballkan, 3.2 kilometra dhe 22 mijë metra katrorë terminal”, deklaroi ajo gjatë një takimi në Fier, ku u prezantua edhe projekti për transformimin e zonës bregdetare të Darzezës.
Sipas Ballukut, terminali kur nisi fillimisht projekti, ishte planifikuar për vetëm 5 mijë metra katrorë dhe sot konsorciumi në VIA është duke ndërtuar 22 mijë metra.
Kjo sipas saj, pasi volumet dhe parashikimet për dekadat në vazhdim flasin për një numër të konsiderueshëm turistësh. Edhe vetë viti 2025, krahasimisht me vitin 2024 në katër muajt e parë, ka 30% rritje në numrin e vizitorëve.
“Siç e patë edhe në hartën e prezantimit, sepse ne e themi gjatë gjithë kohës që është më afër Fierit sesa Vlorës ai aeroport, por ju e patë me sytë tuaj sesa larg është nga Pishporo aty ku përfundon ajo promenada, shëtitorja e bukur prej 21 kilometrash që do të jetë gjëja e parë, besoj unë, që do të ndërtojmë”, deklaroi Balluku.
Aeroporti i Vlorës do të jetë aeroporti më i madh në Ballkan, duke qenë kështu një ndër investimet më të rëndësishme për ekonominë e vendit.
Kështu deklaronte ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, teksa inspektonte rrugën, e cila do të lidhë aeroportin ndërkombëtar të Vlorës me autostradën Fier-Vlorë.
“Aeroporti do jetë më i madhi në Ballkan, i kategorisë 4E dhe i jep gjithë rajonit një mundësi të re për të akesuar pa përdorur hub-et. Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, sigurisht Shqipëria dhe Kosova nuk kanë më nevojë për hub-e të fluturojnë në kontinente të tjera dhe këtë do e ofrojë Vlora”.
Për të, aeroporti jo vetëm që do ndikojë ekonominë shqiptare dhe turizmin, por do ndikojë edhe atë rajonal.