Fluksi i udhëtarëve në aeroportin e Kukësit është rritur gjatë sezonit të verës. Pjesa më e madhe janë emigrantë nga Kosova, të cilët shprehen të kënaqur me çmimet dhe procedurat në aeroportin e ri.
Është rritur numri i fluturimeve në Aeroportin e Kukësit, ku vihet re fluksi i udhëtarëve, kryesisht emigrantë nga Kosova që shfrytëzojnë këtë trafik ajror për të kaluar pushimet në vendin e tyre.
“Kemi zgjedh Kukësin se jemi këtu afër në Prizren. Është më lehtë për ne! Çmimet e biletave janë më lirë se në aeroportin e Prishtinës dhe Tiranës, edhe procedurat të thjeshta. Vij nga Prizreni dhe po iki në Munih, jemi të kënaqur”, tha udhëtari
Po kështu gjatë sezonit të verës fluks ka dhe në doganën e Morinës. Të shumtë janë shqiptarët e Kosovës që vijnë për pushime në Shqipëri. Gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në Shqipëri 24 mijë udhëtarë, ndërsa autoritetet doganore po zbatojnë procedurën e përshpejtuar të kalimit në kufi.