Organizata Admovere dhe Integra së shpejti do të publikojnë librin për masakrat e ndodhura në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Për këtë arsye kanë filluar të kërkojnë ndihmë, meqë janë disa masakra për të cilat s’ka informacione në raporte të organizatave ndërkombëtare, media, raporte të gjykatave apo ngjashëm.
Dy nga to janë Masakrat e ndodhura në Shtuticë më 2 gusht 1998 dhe 30 prill 1999.
Njoftimi i plotë:
Së shpejti, ADMOVERE dhe INTEGRA do ta botojnë librin «Masakrat në Kosovë 1998-1999», në të cilin do të pasqyrohen me tekst (shqip, sërbisht e anglisht) dhe fotografi të gjitha masakrat që janë kryer në Kosovë më 1998-1999. Për këto masakra, i kemi hulumtuar rrënjësisht raportet e organizatave vendore e ndërkombëtare, artikujt në mediet vendore e ndërkombëtare, raportet e gjykatave, e kështu me radhë.
Çuditërisht, për disa prej masakrave nuk ka materiale në burimet e sipërpërmendura. Dy nga to janë Masakrat në Shtuticë, ku më 2 gusht 1998 janë vrarë 7 civilë, kurse më 30 prill 1999 janë vrarë 44 civilë. I lusim banorët e fshatit Shtuticë dhe të tjerët që nëse kanë për këtë masakër ndonjë fotografi, video, artikull gazete, raport, libër, e kështu me radhë, t’i dërgojnë në faqen tonë në Facebook.
Do ta vlerësonim tejmase bashkëpunimin tuaj!