Lajme
Administrata e Bidenit e përkushtuar në zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi që çon në njohjen reciproke
Demokracia
19:19 | 24 Shkurt 2021

Share:

Qëllimi i Amerikës është “që Kosova dhe Serbia të pajtohen dhe që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës”.

Pas letrave të presidentit të SHBA-së, Joe Biden, në të cilën u kërkon udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të normalizojnë marrëdhëniet bazuar në “njohjen reciproke”, analistët thonë se presidenti i ri po synon që administrata e tij të përfshihet më shumë në çështjet me interes për aleatët europianë të Amerikës.

Charles Kupchan, një anëtar i vjetër i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, tha se Biden do të angazhohet në sigurinë europiane dhe veçanërisht në Ballkan për dallim prej ish-presidentit Donald Trump, administrata e të cilit ishte përpjekur të linte mënjanë çështjen e vështirë të njohjes ndërsa kërkonte bashkëpunimin ekonomik si një mënyrë për ndërtimin e besimit midis Serbisë dhe Kosovës.

“Unë mendoj se ky është përgjithësisht një lajm i mirë dhe mendoj se do ta shihni edhe atë të punojë më ngushtë me Bashkimin Evropian”, tha Kupchan, transmeton Demokracia.com.

Kupchan tha se: “Z. Biden e kupton që përparësitë kryesore të presidencës së tij, të paktën tani për tani, janë në shtëpi. Në shumë aspekte, forca në shtëpi është themeli i forcës jashtë vendit. Ne duhet të marrim drejt axhendën e brendshme për t’u siguruar që kemi një politikë të jashtme të qëndrueshme të qëllimshme në Ballkan dhe më gjerë”, tha Kupchan

Edhe ambasadori i pensionuar amerikan Frank Wisner, cili shërbeu si i dërguari special i SHBA-së në bisedimet e mbështetura nga OKB-ja që çuan në shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, thotë se pozicioni i Bidenit është i rrënjosur në idenë se Europa do të jetë e plotë dhe e lirë dhe se “çështjet që ndajnë Europën do të zgjidhen.”

“Ju mund të jeni të sigurt se Shtetet e Bashkuara do të argumentojnë … që ndryshimet e së kaluarës të kapërcehen në bazë të respektit të ndërsjellë, mirëkuptimit të ndërsjellë, të respektit për sovranitetin e tjetrit, integritetin territorial”, i tha ai Zërit të Amerikës në gjuhën angleze.

Ai shtoi se qëllimi i Amerikës është “që Kosova dhe Serbia të pajtohen dhe që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës”.

Kujtojmë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq iu përgjigj letrës së Bidenit duke thënë se nuk ka pasur asnjë ndryshim në refuzimin e Serbisë për të njohur Kosovën.

Ndërsa, Albin Kurti, udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo e cila doli fituese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, ka thënë se dialogu me Serbinë nuk do të jetë prioritet për qeverinë e tij. /Demokracia.com/

Të ngjashme