Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka mohuar lajmin e qarkulluar sot në media se ka sulmuar fizikisht drejtorin për marrëdhënie me jashtë Artan Govorin, shkruan Demokracia.com.
Ai ka thënë se ka nisur një luftë ndaj tij dhe institucionit që drejton me qëllim që t’ia prishin imazhin, derisa ka konfirmuar se ka nënshkrimin e 44 delegatëve.
“Të gjitha palët që dëshirojnë të përfitojnë nga inskenimet e tilla, ua bëj me dije se vullneti i 44 delegatëve të Kuvendit të FFK-së nuk mund të ndryshojë me presione e shantazhe dhe as me shpifje të tilla nga njerëz e grupe të interesit. Unë do të vazhdoj punën time me ndershmëri dhe nuk do të lejoj të bie pre e shantazhuesve që për qëllim kanë kapjen e FFK-së”, ka shkruar Ademi.
Demokracia.com ekskluzivisht raportoi më herët se në FFK janë deponuar 45 nënshkrime të delegatëve për Agim Ademin dhe se ai nuk do të ketë kundërkandidat në zgjedhjet e 6 prillit.
Nënshkrimi i një delegati, që ka nënshkruar për të dyja palët, Demokracia.com ka mësuar se nuk është llogaritur, pasi që po pritet të shpallet i pavlefshëm.
LEXO EDHE: Ekskluzive: Agim Ademi me 45 nënshkrime, certifikohet në FFK si kandidat për president
Kuvendi zgjedhor i FFK-së mbahet më 6 prill, derisa kandidatët e mundshëm janë përmendur Agim Ademi dhe Gramoz Vokrri, djali i legjendës së futbollit kososvar, Fadil Vokrrit. /Demokracia.com