Lajme
Abuzimi me paratë publike, “punëtorët” e QKUK-së marrin paga pa shkuar në punë
Demokracia
16:48 | 07 Prill 2025

Share:

Mbi 125 mungesa pune prej prillit të vitit 2024 janë gjetur në bazë të evidencës elektronike për një teknik të IT-së në QKUK, sipas një raporti i komisionit për vijueshmërinë në punë.

Raporti për Vijueshmërinë në Punë i përpiluar nga një komision i brendshëm në QKUK, tregon se në Qendrën Klinike Universitare ka disa punonjës që paguhen pa shkuar fare në punë.

Aty janë identifikuar persona që janë në listë të pagave e që nuk shkojnë fare në punë, raportoi Klan Kosova të dielën.

Inspektimi i listave të pagave me zero orë punë ka gjetur se në mesin e keqpërdoruesve janë edhe një pediatre e një infermiere, të cilat ka vite që i kanë pezulluar vendet e punës.

Për një recepsioniste dhe zyrtar për informimi nuk janë arritur dëshmitë relevante nga komisioni.

Sipas kësaj trupe, shefi i Zyrës së Personelit në QKUK, Skender Shabani ka refuzuar t’i përmbush obligimet ligjore.

Këtë sjellje të tij, Komisioni e ka cilësuar “sabotuese”.

Shabani, jo më larg se para dy vitesh ishte subjekt një rasti të dyshuar nepotizmi në QKUK.

Ai, si shef i Zyrës së Personelit, në fund të vitit 2023, kishte shpallur një konkurs për pranimin e katër punëtorëve social në dy klinika, Pediatri dhe Psikiatri dhe në njërën nga pozitat e kishte pranuar në punë motrën e tij.

Motra e Shabanit, e cila veçse ishte e punësuar në QKUK, ishte pranuar si punëtore sociale në Klinikën e Pediatrisë.

Kandidimin dhe pranimin e saj në punë e kishte pranuar vet Shabani, por ai kishte mohuar të ketë ndikuar në atë proces.

Të ngjashme