Lajme
Abrashi: Edhe në Raportin e Progresit u evidentua mungesa e bashkëpunimit komuna–qeveri
Demokracia
22:42 | 30 Maj 2025

Share:

Emir Abrashi nga organizata joqeveritare Demokracia Plus thotë se kurrë më parë nuk kanë qenë më të këqija raportet mes komunave dhe qeverisë sesa gjatë këtij mandati të Qeverisë Kurti.

Këto marrëdhënie, sipas tij, janë evidentuar për dy vite radhazi edhe në Raportin e Progresit.

Abrashi, për ta konfirmuar këtë, mori si shembull një takim të thirrur nga kryeministri Albin Kurti, në të cilin morën pjesë vetëm 12 komuna.

“Ky rast, por edhe shumë të tjerë, tregojnë për raportet jo të shëndosha që janë ndërtuar nga niveli qendror në raport me nivelin lokal. Raportet jo të mira janë shpërfaqur shumë herë nga ana e qeverisë. E fundit ishte reagimi i MAPL-së në faqen e tyre zyrtare në rrjete sociale për temën e refuzimit të fondit të performancës, ku i referohen Sazan Ibrahimit si një drejtor i një OJQ-je, sikur të mos përfaqësonte askënd, duke bërë shantazh dhe linçim publik. Kjo tregon se sa larg kemi shkuar me raportet mes komunave dhe qeverisë, sa që përfshihemi edhe në raportet zyrtare të Bashkimit Evropian, të cilat flasin për një ngecje në bashkëpunim qeveri-komuna”, ka shtuar Abrashi.

Ndërsa për grantin e performancës që u shfaq si arsye e një konfrontimi publik me akuza dhe linçime të qeverisë ndaj Asociacionit të Komunave dhe vet drejtorit të saj, Abrashi thotë se ai është refuzuar nga donatorët për shkak të kërkesës së ministrisë që ajo ta menaxhojë fondin.

“Për shumë projekte për të cilat qeveria pret nga donatorët ka marrë përgjigje, qoftë negative, qoftë pozitive. Për këtë fond të performancës nuk ka marrë asnjë përgjigje, që do të thotë se mund të jetë refuzuar – e që në reagimin e saj publik, ministria nuk ka raportuar fare”, ka thënë Abrashi.

 

Të ngjashme