Lajme
Abelard Tahiri: Kufizimi i gazetarëve në Kuvend, veprim i mentalitetit “zdravo”
Demokracia
18:55 | 27 Korrik 2023

Share:

Partia Demokratike e Kosovës ka kundërshtuar kufizimin e hapësirës për gazetarët në sallën e Kuvendit të Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri, ka kërkuar nga kryeparlamentari ta tërheqë vendimin, për të cilin ka thënë se është vendim i mentalitetit “zdravo”.

“Vendimi për kufizimin e hapësirës së gazetarëve brenda sallës plenare të Kuvendit, është vendim i mentalitetit të ‘zdravo mazhorancës’ të cilin, si Grup Parlamentar i PDK-së e kundërshtojmë plotësisht. Lufta e këtij pushteti me mediat, fillimisht duke u përpjekur t’ua ndalin fjalën, pastaj duke ua revokuar licencat, nuk mund të shtrihet edhe tek revokimi i hapësirës fizike për raportim të lirë. Kërkojmë nga Kryetari i Kuvendit që ta tërheq mbrapa këtë vendim të paarsyeshëm”, ka shkruar ai në Facebook të enjten.

Në pjesën e mediave në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, sot u vendos një shirit, duke i zhvendosur gazetarët dhe kameramanët të cilët përcjellin punën e këtij institucioni, më prapa. Kuvendi është arsyetuar se ka vendosur shiritin për shkaqe sigurie. Na ballkonin e Kuvendit, nga ku mundësohet pamja e plotë e sallës së seancave, janë vendosur rregullisht ekipet e gazetarëve që kanë përcjellë seancat. Ajo është hapësira e vetme nga e cila gazetarët mund t’i përcjellin punimet e Kuvendit. Shtyrja prapa e ekipeve, kufizon pamjen e plotë të sallës së seancave.

Termi “zdravo”, që nga serbishtja në shqip do të thotë “përshëndetje”, po përdoret nga opozita në drejtim të Vetëvendosjes, qëkur u publikuan incizimet e bisedës së shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, me ish-shefin e Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Igor Simiq.

 

Të ngjashme