Lajme
Abdixhiku: Triumfi ushtarak i Koshares, ishte kushtrim për të gjithë shqiptarët
Demokracia
14:32 | 09 Prill 2022

Share:

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në 23-vjetorit të Betejës së Koshares, ka bërë homazhe në nderim të të rënëve të kësaj beteje.

Abdixhiuku në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se akti i trimërisë së UÇK-së, ishte frymëzim për rrugëtimin e vendit drejt lirisë. Sipas tij, triumfi ushtarak i Koshares, ishte kushtrim për të gjithë shqiptarët.

“Në mëngjesin e 9 prillit të vitit 1999, 23 vite më parë, burrat e gratë e Ushtrisë Çlirimtare, kishin nisur thyerjen e kufirit shqiptar, dhe me këtë i kishin dhënë historisë një ndër betejat më të lavdishme shqiptare. Akti i tyre i trimërisë, më tepër se simbolikë e thyerjes së një muri pushtimi, ishte frymëzim për rrugëtimin tonë drejt lirisë. Triumfi ushtarak i Koshares, ishte kushtrim për të gjithë shqiptarët”.

Ai tha se do të kujtohen e nderohen të gjithë dëshmoret e kësaj beteje, duke përmendur kështu edhe të huajt që dhanë jetën.

“Sot, kujtojmë dhe nderojmë të rënët e Betejës së Koshares, nderojmë burrat si Agim Ramadani, Sali Çekaj, Xhemajl Fetahaj, Abaz Thaçi e secilin hero e dëshmorë të kësaj beteje të madhe. Nderojmë po ashtu, gjithë të rënët e huaj në altarin tonë të lirisë; nderojmë francezin Paillard Arnaud Pierre, algjerianin Murad Muhammad Ali e italianin Francesco Giuseppe Bider. Kosharja, të rënët, kjo lavdi e kjo sakrificë, është shenjë e vazhdueshme rikujtimi se çdo ditë e jona sot, është detyrim shërbimi ndaj atdheut tonë të shenjtë – Kosovës”, ka shkruar ai më tej./Demokracia.com/

Të ngjashme