Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar Qeverinë duke thënë se ka rezultate zero në çdo fushë.
Në një diskutim me aktivistë dhe qytetarë në Prizren, të mërkurën, Abdixhiku diskutoi për gjendjen aktuale ekonomike dhe nevojën për zhvillim urgjent ekonomik të vendit në këtë kohë krize.
“Gjendja ekonomike është e padurueshme për shkak të mungesës së investimeve, mungesës së projekteve kapitale dhe paaftësisë së plotë të Qeverisë. Kemi rënie ekonomike dhe asnjë interesim të Qeverisë për të ndryshuar diçka në këtë drejtim. Inflacioni ka arritur në 20%, deficiti tregtar është rritur nga 3 në 5 miliardë euro dhe më shumë se 100.000 njerëz janë larguar nga vendi. Me vetëm 9% investime kapitale këtë vit, kurse Kosova do të përfundojë me rritjen më të ulët ekonomike në dekadën e fundit. Nuk ka më shpresë se kjo Qeveri mund të sjellë ndonjë ndryshim dhe fushata e tyre është zhgënjim i madh për qytetarët tanë. Qeveri e paaftë dhe e papërgjegjshme, e cila është në gjendje vetëm të prodhojë kriza të reja”, ka thënë Abdixhiku.
Ai shtoi se LDK-ja është në mision për të rikthyer shpresën në vend dhe për të siguruar stabilitet.