Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku e ka kritikuar punën e presidentes Vjosa Osmani.
I ftuar në emisionin “Context” në ATV, Abdixhiku kërkoi nga Osmani të mos bëjë garë elektorale por të ketë bashkëpunim me të gjitha palët.
“Unë dëshiroj që presidentja të jetë e të gjithëve, e nuk është e të gjithëve, nuk është një trysni, domethënë unë këtë e them vazhdimisht. Kur të them e të gjithëve, jo e partive politike, se nuk më duhet mu presidentja sepse nuk kam asnjë interes nga institucioni i presidentes, por dua që të mbaj mendimin me të gjitha palët dhe jo vetëm me një palë. Në momentin që presidenti bëhet me një palë është një garë elektorale dhe atë mund ta bëjmë por nuk je aty për të bërë garë”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku gjithashtu tregon se përveç kontaktit institucional nuk ka ndonjë kontakt tjetër bashkëpunimi me presidenten e vendit.
“Nuk kam ndonjë kontakt me presidenten e vendit, përveç kontaktit institucional. Pra kam pasur një ftesë institucionale pas luftës në Ukrainë, kam marrë pjesë me Z.Shala ne një takim me presidenten, kemi folur haptas në mënyrë institucionale. Unë si udhëheqës i partisë opozitare ajo si presidente e vendit. Komunikim tjetër jo institucional nuk kam dhe nuk e shoh të arsyeshme të kem”, shtoj Abdixhiku.