Lajme
Abdixhiku ia shuan Kurtit shpresat për koalicion: Dëshirat partiake, LDK-ja nuk i realizon më
Demokracia
22:40 | 29 Maj 2025

Share:

Lidhja Demokratike e Kosovës ia ka shuar shpresat për një koalicion Lëvizjes Vetëvendosje. Kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, sonte ka përsëritur që s’do të ketë koalicion me VV’në, duke shtuar se LDK s’realizon më dëshira partiake.

Para një jave, kreu i VV’së, Albin Kurti, tha se një koalicion ideal do të ishte nëse bashkëqeverisin VV, LDK dhe Nisma, meqë kështu do t’i kishin votat edhe për kalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Ai tha se më së afërmi qëndrojnë me LDK’në në qeverisje.

“Në fakt më së largu jemi në ideale, në vlera, në orientime, në pikëpamje të mënyrës së si duhet të bëhet politika, si duhet të bëhet shteti, si duhet të bëhet ekonomia, si duhet të bëhet ligji, si duhet të bëhet kushtetuetshmëria. Dëshirat partiake, LDK’ja nuk i realizon më. Nuk është më babadimri i kahershëm që ka realizuar dëshirat e partive tjera”, ka thën Abdixhiku.

Ai tha se do të qëndrojnë pas këtij premtimi me çdo çmim.

“Fjalët që i themi do t’i mbajmë me çdo çmim. I kemi marrë 170 mijë vota për këto fjalë, do t’i mbajmë deri në zgjedhjet e ardhshme këto fjalë”, ka thënë Abdixhiku në T7.

LDK e kishte refuzuar VV’në për koalicion edhe përmes një letre zyrtare. Kurti e kishte cilësuar këtë si refuzim mjaft të ashpër.

“Nga Lidhja Demokratike e Kosovës mu tha që nuk është vendi e koha për marrëveshje për procedurë, por duhet marrëveshje politike. Prandaj, unë i ofrova koalicion qeveritar LDK’së, gjë që u refuzua mjaft ashpër”, kishte deklaruar Kurti.

Të ngjashme