Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ka bërë të ditur se kanë pasur një qartësim, një kerkesë dhe një ofertë.
Abdixhiku ka thënë se qartësimi ka qenë rreth dokumenteve që Qeveria Hoti i ka dërguar kryeministrit Kurti dhe se kërkesa ka të bëjë me pozicionin e ekzekutivit i cili duhet të prezantohet në Kuvend, raporton Demokracia.com.
Ndërkaq, oferta e LDK-së, siç tha Abdixhiku në një konferencë për media, është një dokument në të cilin përshkruhet pozicioni politik të cilin duhet ta mbajë Qeveria e Kosovës.
“Biseduam për dialogun, kryeministri na njoftoi për qëndrimet e tij dhe pritjet e tij. Ne bëmë një qartësim dhe një kërkesë, dhe një ofertë. Qartësimi ishte mbi dokumentet e dorëzuara tek kryeministrit. Të gjitha dokumentet që i ka pasur Qeveria e kaluar janë dorëzuar te kryeministrit. Patëm një kërkesë, që kishte të bënte me pozicionin që kjo qeveri duhet ta prezantojë në Kuvend, pozicioni për dialog. Bëmë një ofertë, ku i dorëzuam kryeministrit një dokument mbi pozicionin politik që Qeveria e Kosovës mendojmë ne se duhet ta ketë”, ka thënë Abdixhiku.
Sipas kreut të LDK-së, “ky dokument përmban parime që duhet Kosova t’i mbrojë si diskutimi mbi bazën e vendimit të GJND-së, ruajtja e integritetit territorial, rendit kushtetues dhe anëtarësimi në BE dhe NATO”, raporton Demokracia.com.
Ky është takimi i dytë i Kurtit me kryetarin e një partie opozitare. Dje kryeministri ka takuar kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, me të cilin po ashtu ka biseduar rreth dialogut.
Ndërkaq, takimin e thirrur nga Kurti e ka refuzuar Partia Demokratike e Kosovës, të cilën vlerësojnë se duhet të ketë llogaridhënie dhe transparancë vetëm në Kuvendin e Kosovës./Demokracia.com/