Lajme
Abdixhiku i reagon Kurtit: Popullizmi varfëron, ndihma prej 100 euro është lëmoshë
Demokracia
16:46 | 12 Prill 2022

Share:

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar sot gjithashtu në lidhje me masat e reja në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike të publikuara sot nga Qeveria e Kosovës.

Në postimin në Facebook, Abdixhiku ka shkruar se mungesën e politikave zhvillimore e investimeve të mëdha kapitale në vend, po e zëvendësojnë me popullizëm.

“Këtë herë nga 100 euro lëmoshë secilit – pa ndonjë kriter, pa ndonjë kategorizim. Kanë ose s’kanë përfituesit, nuk ka fare rëndësi, të gjithë do të marrin njëjtë. Përveç se e padrejtë, kjo politikë sociale është edhe pa efekt. Në njërën anë 100 euro për vetëm një muaj, s’zbusin asgjë; në anën tjetër 100 milionë euro gjithsej janë para të humbura me një vendim. Nuk besoj se ka pasur, ka e do të ketë diku tjetër në botë ndonjë politikë kaq të madhe me kaq pak ndikim. Popullzimi këtë ka. Blenë paqe sociale duke ushqyer varfërinë”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai më tutje shkroi se Albin Kurti sot dëshmoi përfundimisht se nuk ka ide e as njohuri për zhvillim, se beson se me intervenim një mujor, mund ta bëj të harrohet kriza e përballueshmërisë.

“Me 100 euro s’blihet shtrenjtimi i rrymës për 100%. Me 100 euro s’blihen vizat e punës për 120 mijë kosovarë. Me 100 euro s’blihet inflacioni dyshifror që vazhdon edhe përtej këtij muaji të shënojë rritje rekord. Me 100 euro s’blihen pagat e ulëta në sektorin privat e publik pa dallim. Me 100 euro nuk blihet papunësia, nepotizmi, mungesa e investimeve e regresi shoqëror. Politika zhvillimore është art. Këtë art, eksperti – tani i komunikacionit rrugor dhe gjurmëve në asfalt – s’ka se si ta kuptojë”, theksoi Abdixhiku.Kryetari ui LDK-së shtoi se ai kundërshton secilën politikë populliste.

“Edhe këtë të tanishmen dhe secilin propozim a masë të ngjashme të marrë deri më tani nga kushdo qoftë ai. Në qeverisjen time, masa të tilla të çastit e pa ndikim, s’do të kenë vend në asnjë vendim. Njerëzit në hall natyrisht se mirëpresin secilën ndihmë. Por duke i privuar ata nga projektet madhore e zhvillimore, në këmbim të lëmoshës së përkohshme, politikanët tregojnë jolidership. Mund dhe të merr kohë, por do ta kuptoni, se kjo lloj politike është tregtim i së ardhmes tuaj për një grusht mbështetje të përkohshme që s’zgjatë as edhe një muaj”, nënvizoi Abdixhiku.

Të ngjashme