Lajme
Abdixhiku i kundërpërgjigjet Kurtit: Po mbronë kriminelët në pranga e krimin rreth tij, a është ky ndryshimi i njëmendtë?
Demokracia
22:00 | 20 Gusht 2023

Share:

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se mbrojtja për Ridvan Muharremin që i merr ‘vetëm’ 3%, për Martin Berishajn që i tërheqë 1.4 milion kesh në Prishtinë apo për Nagip Krasniqin që jep tender 3.5 milionësh një biznesi pa qarkullim, është vazhdimësi e hajnisë që Kosovës nuk i është ndarë tash e shumë kohë.

Sipas tij, kjo po bëhet sepse arroganca e numrave u ka dhënë përshtypjen se janë mbi shtet dhe mund të bëjnë çfarë të dojnë.

Komenti i plotë i Abdixhikut:

Mendojeni për pak.

Çfarë po provojnë të arsyetojnë?

– Një Kryeministër që i jep miliona euro të buxhetit mikut të tij. Jo me garë, jo me procedurë, jo me ligj – por me tender veçmas për të.

– Një mik Kryeministri që merr miliona nga shteti me procedurë të qëndisur enkas për të, vendosë t’i marrë – siç na thotë Kryeministri vet – veç’ 3%; përkatësisht 52 ton grurë, 200 mijë litra vaj e 120 mijë kilogram sheqer.

– Një hajni që del sheshazi në publik, dhe një Qeveri që në njërën anë atakon mediat sepse zbuluan një skandal të tillë, e në anën tjetër prokurorinë sepse arreston keqbërësit e tillë.

Tenderave për miq i kemi thënë gjithnjë korrupsion!

Marrjes së përqindjeve gjithmonë hajni!

Frikësimit të gjyqtarëve kapje e zaptim!

Asgjë mangut sot.

Mbrojtja për Ridin që i merr ‘vetëm’ 3%; për Martinin që i tërheqë 1.4 milion kesh në Prishtinë, apo për Nagipin që jep tender 3.5 milionësh një biznesi pa qarkullim – është vazhdimësi e hajnisë që Kosovës nuk i është ndarë tash e shumë kohë. Po bëhet sepse arroganca e numrave u ka dhënë përshtypjen se janë mbi shtet dhe mund të bëjnë çfarë të dojnë.

Tani a është ky ndryshimi i njëmendtë të cilin e kërkonim ndër vite? Të dëgjojmë krahasime se këta apo të tjerët para tyre janë hajna më të mëdhenj? Pas shumë përpjekjeve për evropianizim, a duhet të mjaftohemi me një Qeveri e Kryeministër që mbronë kriminelët në pranga e krimin rreth tij, e shpërfaqet me plot mllef ndaj luftuesve të tij?

Kosova mundet më mirë, Kosova meriton më shumë. ‘Rruga e re’ po vjen, si domosdoshmëri e vet kohës, dhe s’ka asgjë që e ndalë atë tashmë.

Të ngjashme