Lajme
Abdixhiku: Nëse Kurti i ka votat për Qeveri, t’i përdorë edhe për Kryetarin e Kuvendit – nuk i harxhohen
Demokracia
21:23 | 29 Maj 2025

Share:

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se fajin për moskonstituimin e Kuvendit e ka Lëvizja Vetëvendosje, meqë nuk po arrin ta krijojë shumicën. Lidhur me deklaratën e Kurtit që ta sfidojnë nëse i ka votat për Qeverinë, Abdixhiku tha se këto vota mund t’i përdorë edhe për Kryetarin e Kuvendit.

Ai ka thënë se rrugëdalja është një marrëveshje politike. E propozuara e VV’së për Kryetare Kuvendi vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu, emër që po kundërshtohet nga partitë tjera.

“Ne s’po dojmë. Ka parti tjera që po dojnë marrëveshje politike…Ka tri parti që kërkojnë një emër tjetër të një kandidati për Kryetar Kuvendi, dhe një tjetër që është e gatshme për koalicion qeverisës”, ka deklaruar Abdixhiku.

Lidhur me deklaratën e Kurtit që ta sfidojnë nëse i ka votat për Qeverinë, Abdixhiku tha se këto vota mund t’i përdorë edhe për Kryetarin e Kuvendit.

“Nuk i harxhohen votat nëse i ka…Askush s’e ka shumicën”.

I pari i LDK’së ka lënë të kuptohet se LDK s’do ta votonte as Fatmir Limajn nëse propozohet për Kryetar Kuvendi.

“Nuk ka vota për asnjë marrëveshje politike. Nuk merremi me emra”, ka shtuar ai.

Abdixhiku ka thënë se po t’i kishte ai vetë 48 deputetë, do ta kishte shumë të lehtë ta krijonte shumicën.

“Partia fituese nuk ka bërë shumicë tash e 23 seanca. I takon të parit ta bëj shumicën. I takon të parit të përpiqet të bëjë zgjidhje. Po t’i kisha unë 48 deputetë, do të ishte shumë e lehtë bërja e shumicës”, ka thënë Abdixhiku në T7.

Ai ka thënë se qëndrimi i LDK’së vazhdon të mbetet i njëjtë, teksa është shprehur i bindur se asnjë nga deputetët e kësaj partie s’do të votojë në favor të VV’së.

Abdixhiku tha se Presidentja Vjosa Osmani mund ta çojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, teksa shtoi se ky ka qenë edhe zotim në takimin e mbajtur me liderët e partive.

Lidhur me refuzimin ndaj VV’së për koalicion, Abdixhiku ka thënë se e ka pasur shumë të lehtë të jap këtë përgjigje, duke rikujtuar ofendimet nga kreu i VV’së, Albin Kurti.

“Paradite të dërgonin ftesa, pasdite të ofendonin të njëjtit”, ka shtuar Abdixhiku

Të ngjashme