Lajme
Abdixhiku e sheh tejet të rrezikshëm zhgënjimin e aleatëve me Qeverinë
Demokracia
22:20 | 28 Tetor 2022

Share:

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e sheh tejet të rrezikshme zhgënjimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian me Qeverinë e Kosovës për zbatimin e vendimit për çështjet e targave.

Sipas vendimit të Qeverisë të premten, për tri javë, nga 1 nëntori deri më 21 nëntor do të jetë masa e qortimit për serbët që nuk konvertojnë targat në RKS, pastaj për dy muaj deri më 21 janar do të jetë masa e gjobitjes prej 150 eurosh, dhe më pastaj nga 21 janari do të ketë targa provuese për tre muaj të tjerë, pas së cilës datë më 21 prill, nuk do të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës. Ndërkohë, ndërkombëtarët kanë kërkuar shtyrje të vendimit.

“Në kohë të zhvillimeve të ndjeshme politike, Qeveria e Kosovës duhet të trajtojë me kujdes relacionet me partnerët e përhershëm dhe strategjikë, SHBA-në dhe BE-në. Institucionet e vendit duhet t’i trajtojnë me ndjeshmëri të lartë rekomandimet dhe kërkesat e miqve tanë. Sjellja me arrogancë ndaj kërkesave të partnerëve tanë, dëmton interesat strategjike të vendit dhe mund të prodhojë pasoja afatgjata në rrugëtimin tonë politik. Siç na mëson e shkuara, këto marrëdhënie janë fondamentale për të fituar një pozicion më të mirë ndërkombëtar për vendin tonë si dhe për të ndjekur synimet tona strategjike”, ka thënë Abdixhiku në Dragash, në kuadër të cilkit debatues me qytetarë “LDK ju dëgjon”.

Lideri i LDK-së ka thënë se Kosova ka çdo të drejtë në vendosjen e ligjshmërisë, por sipas tij, e ka domosdoshmëri koordinim me aleatët në ndjekjen e synimeve strategjike.

“E drejta e zbatimit të ligjit në gjithë territorin e vendit, e ritheksuar në këto rekomandime ndërkombëtare, duhet të vlerësohet si garanci për vendin tonë”, ka theksuar Abdixhiku.

 

Të ngjashme