Lajme
Abdixhiku: Do të jemi konstruktiv sa i përket zgjedhjes së Presidentit
Demokracia
12:36 | 15 Mars 2021

Share:

Një ditë pasi që u zgjedh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovë, Lumir Abdixhiku, ka bërë homazhe te varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova.

Gjatë së hënës, Lumir Abdixhiku bëri homazhe të varri i ish-Presidentit Rugova dhe tha se mburret me të kaluarën e partisë, shkruan Demorkacia.com.

Abdixhiku deklaroi se do të vazhdojnë të kultivohen idetë tradicionale të LDK-së, dhe sipas tij këto ide tradicional do të mbesin ide të kohës.

“Po e nisim nga këtu, për të nderuar dhe kujtuar jo vetëm kryetarin e parë të LDK-së, Dr.Ibrahim Rugova, por edhe themeltarin e Republikës së Kosovës, nga këtu dërgojmë mesazhet se idetë tradicionale të LDK-së mbesin ide të kohës, të përhershme të cilat do t’i kultivojmë edhe në këtë pjesë tonën. Ndjehemi krenarë për punët e bëra që nga themelimi e deri më sot. E kaluara jonë është e kaluar me të cilën mburremi, por ajo sot s’na mjafton. E ardhmja ndërtohet duke respektuar të shkuarën, por duke i dhënë përgjigje çështjeve që janë emergjente për Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Abdixhiku.

Abdixhiku tha se po e pret takimin e së premtes me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, pasi që është pyetur se si do të veprojë LDK-ja në zgjedhjen e Presidentit.

“Siç kam deklaruar dje, po presim për konfirmimin e takimit të së premtes, ditën e propozuar nga ne. Sepse gjatë kësaj jave do të jemi në proces të konstituimit të organeve, do të jemi konstruktivë në frymën themeltare të LDK-së, përfshirë edhe të Presidentit Rugova dhe të secilit veprimtar që kontribuon në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e institucioneve të Kosovës, dhe jo në rrënimin e tyre”, deklaroi Abdixhiku.

Ndërkohë, kreu i LDK-së tha se do ta dërgojë edhe zyrtarisht kërkesën për takimin e së premtes me Kurtin dhe Osmanin./Demokracia.com/

Të ngjashme