Lajme
Abdixhiku dhe Hyseni e injorojnë themeluesin e LDK-së në Podujevë për 33-vjetorin
Demokracia
19:27 | 19 Mars 2023

Share:

Agim Veliu në 33-vjetorin e themelimit të LDK-së në Podujevë është injoruar tërësisht nga lidershipi i ri lokal dhe nga kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

Veliu në krye të degës u zëvendësua me Ekrem Hysenin, i cili ishte edhe kandidat për kryetar të komunës nga kjo parti në Podujevë.

Ish-ministri i brendshëm, i cili u injorua nga lidershipi i LDK-së, duke përmendur themeluesin e kësaj partie, Ibrahim Rugovën, ka bërë thirrje për unitet, që sipas tij është më i nevojshëm se kurdoherë.

Veliu është prononcuar për Tv Llapi edhe në lidhje me injorimin e dyanshëm që ndodhi. Ai tha se nuk u përshëndet fare nga kryetari i degës, Ekrem Hyseni.

“Nuk e panë të arsyeshme me e përshëndetë njeriun që e ka themeluar LDK-në para 33 vjetëve. Të shohim kur të hapet procesi i zgjedhjeve, sigurisht unë jam i interesuar që LDK në Llap të rikthehet si parti e parë. E kjo formë duke proklamuar unitet e duke vepruar ndryshe është e vështirë në këtë formë”, ka thënë Veliu nën brohoritjet e emrit të tij nga qytetarët përreth tij.

Postimi i Veliut:

33 vjet LDK në Llap

33 vjet punë, sakrificë, rezistencë dhe angazhim intelektual në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe shtetndërtim.

Me ideatorin dhe kreatorin e shtetit të pavarur të Kosovës, themeluesin dhe prijësin e saj Dr.Ibrahim Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës u dëshmua si prijëse e proceseve dhe zhvillimeve më të mëdha dhe më të rëndësishme në vend.

Gjatë gjithë këtyre viteve LDK dëshmoi se e vetmja rrugë e sigurtë për të ardhmen e Kosovës është filozofia politike e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova.

LDK u dëshmua se është më shumë sesa një parti, është një institucion nacional që kultivon e afirmon vlera dhe ruan miqësinë me aleatët perëndimorë, Shtetet e Bashkuara e NATO-në dhe punon fuqishëm për integrim në BE.

Edhe në ditëlindjen e saj të 33-të, LDK-ja, duke pasur dijen e guximin politik dhe anëtarësinë besnike, po dëshmon se është e vetmja shpresë për vendin.

LDK përgjatë këtyre tri dekadave ka dhënë provimin e partisë shtetformuese e shtetndërtuese.

Pikërisht pse ishim forca më e madhe dhe më serioze politike, kalaja jonë politike ishte dhe vazhdon të jetë shënjestër e sulmeve të vazhdueshme nga stuhi të jashtme, e jo rrallë edhe u provua të rrënohej nga brenda.

Kundërshtarët tanë politikë nuk zgjodhën mjete në përpjekjet për ta dobësuar e copëtuar Lidhjen tonë.

Por, edhe atëherë kur rivalët tanë menduan se dobësuan, siç projektuan, Lidhja jonë u konsolidua dhe forcua më shumë.

LDK u bë edhe më e fortë kur u sulmua e atakua më së shumti nga kundërshtarët e saj politikë, sepse sakrifikoi e investoi shumë për ta bërë e ndërtuar Republikën.

Prandaj, më shumë se detyrë, është mision i LDK-së ruajtja e shtetit.

Vendin dhe Llapin duhet ta shpëtojmë nga ata që erdhën në pushtet me kauza të rreme, e sot bëjnë pazare me sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit.

Si kurrë më parë, sot nevojitet unitet dhe mobilizim në veprim politik për t’ia rikthyer qytetarit shpresën, e vendit dhe Llapit qeverisjen e mirë.

Këtë mund ta bëjë vetëm LDK-ja, forca politike që ka treguar dije, kulturë, vendosmëri dhe përgjegjësi në qeverisje.

Të dashur veprimtarë, anëtarë e simpatizantë, urime 33 vjetori i Lidhjes sonë!

Të ngjashme