Lajme
Abazoviq po planifikon t’i mbledhë liderët e Ballkanit Perëndimor për një vizitë në Kiev?
Demokracia
12:51 | 30 Prill 2022

Share:

Kryeministri i ri i Malit të Zi, ka thënë se mund të planifikojë një vizitë në Kiev bashkë me liderët e vendeve  të Ballkanit Perëndimor.

Kjo është bërë e ditur në një komunikatë për media nga Qeveria e Malit të Zi, pas takimit me Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried, përcjell Demokracia.com.

“Kryeministri tha se mund të iniciohet një vizitë në Kiev bashkë me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila do të ofronte mbështetje për Ukrainën dhe popullin e saj”, thuhet në këtë njoftim.

Deri më tani, Abazoviq nuk ka marrë përgjigje apo reagim prej asnjëres qeveri të këtyre shteteve lidhur me këtë çështje.

Abazoviq u zgjodh të enjten kryeministër i Malit të Zi, përcjell Demokracia.com.

Me të në krye të këtij shteti, Ballkani bëhet me tre kryeministra shqiptarë.

Pas një seance disa orëshe debati, kabineti i Abazoviq mori 45 vota pro nga 81 që janë në Parlamentin malazez, ndërsa 3 përfaqësues të socialdemokratëve ishin kundër.

Për qeverinë e Abazoviqit votuan 16 deputetë të partive që përbëjnë koalicionin qeveritar si dhe 29 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve të Milo Gjukanoviqit, i cili nuk ka përfaqësues në Qeveri.

Partitë ne pushtet janë Lëvizja Qytetare URA, e kryeministrit Abazoviq, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe (SNP), Partia Socialdemokrate (SDP) dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve./Demokracia.com/

Të ngjashme