Lajme
Abazoviq nuk e përjashton mundësinë e vendosjes së demarkacionit në tavolinë
Demokracia
21:22 | 27 Mars 2022

Share:

Dritan Abazoviq ka folur si mandatar për formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, ndërsa sa i përket pozitës së kryeministrit, ai ka thënë se do ketë raporte shumë të mira me shtetin e Kosovës.

Sipas tij, bashkëpunimi me shtetet e rajonit mbetet një ndër gjërat më të rëndësishme në politikën e jashtme të Malit të Zi.

”Qëllim i një prej gjërave më të rëndësishme në politikën e jashtme të Malit të Zi është bashkëpunimi me të gjitha shtetet në rajon, normalisht edhe me Kosovën, patjetër. Natyrisht që ne kur të instalojmë qeverinë e re, do të vazhdojmë edhe në mënyrë më të lartë të ngrisim relacionet në mes gjitha shteteve në rajon. Kjo edhe ish tregu si çështje në nevojë, posaçërisht në këto momente krize, se kemi invazionin rus në Ukrainë. Andaj duhet të jemi të sigurt që vetëm së bashku, të gjitha shtetet e këtij rajoni, mund të sjellin një frymë të re në Evropë. Besoj që edhe me Qeverinë e Kosovës do të jenë raportet shumë të mira”, ka thënë ai.

Abazoviq nuk e ka përjashtuar vendosjen në tavolinë të diskutimit edhe çështjen e demarkacionit, përkatësisht marrëveshjen mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Ai për Klan Kosova ka thënë se si kryeministër do të jetë transparent bashkë me homologun e tij kosovar, për të trajtuar në detaje këtë ujdi.

”Nuk ka pyetje të cilën ne nuk do ta vendosim në tavolinë. Kur të vijë qeveria e re, do t’i hapim të gjitha pyetjet në tavolinë, pra ne duhet të kemi një transparencë në punën tonë. Por, duhet të jenë të gjithë të vetëdijshëm që ish-qeveria në Kosovë ka marrë vendime së bashku me ish-qeverinë në Mal të Zi. Ndaj nëse identifikohet ndonjë gabim apo fajtor, ajo nuk mund t’i adresohet qeverive aktuale”, ka thënë ai.

Abazoviq ripërsëriti se ai është i gatshëm qysh nesër të shkojë në Parlament për çështjen e formimit të qeverisë së re.

”Sa më takon mua, unë jam i gatshëm të shkoj nesër në Parlament. Por, kam mirëkuptim të plotë për partitë tjera. Çdokush në Mal të Zi mezi pret të formohet qeveria e re”, ka pohuar ai.

Të ngjashme