Partitë politike në Mal të Zi kanë arritur dakordësinë për formimin e shumicës parlamentare duke i hapur rrugë votimit të qeverisë së re, javën e ardhshme.
I mandatuari për postin e kryeministrit, Dritan Abazoviq, në një konferencë për mediat deklaroi se ka siguruar mbështetjen e 46 deputetëve nga 81 gjithsej.
“Nuk e arritëm numrin magjik 49, por mund të themi se rrallëherë ka ndodhur që një qeveri të mbështetet nga 46 deputetë. Kjo nuk do të thotë se dera është e mbyllur për askënd, por disa subjekte nuk treguan konstruktivitet”.
Abazoviq renditi si prioritet kryesor dialogun e gjerë politik duke bërë thirrje për bashkëpunim drejt perspektivës evropiane të vendit.
“Qëllimi është të zhbllokojmë Malin e Zi dhe t’i japim shtetit institucionet funksionale për të fituar qëndrueshmëri. Ne nuk jemi kundër zgjedhjeve, por jemi kundër zgjedhjeve pa institucione. Ndër përparësitë normative është marrëveshja për bartësit e funksioneve gjyqësore, vazhdimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe përmbushjen e standardeve të përkohshme, krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime të reja dhe ndalimin e largimit të investitorëve ekzistues”.
Qeveria e 43-të e vendit do të ketë katër nënkryetarë dhe 20 ministra, nga të cilët, dy do të jenë pa portofol.
Fronti Demokratik, që cilësohet si parti pro-serbe dhe pro-ruse por edhe Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit aktual Milo Gjukanoviq, e cila ishte më shumë se 3 dekada në pushtet në Malin e Zi, do të mbeten jashtë ekzekutivit të ri.